Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me të cilin ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 100 mijë euro, si shpërblim që kjo komuna ka marrë nga fushata “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi Ministri Matoshi deklaroi se Komuna e Gjilanit gjatë kësaj fushate ka qenë mjaft aktive në eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe krijimin e mirëmbajtjen e zonave të gjelberta dhe ne siç e dini komunat që kanë qenë më aktive i kemi shpërblyer me grante ne formë projektesh.
“Pra kanë qenë të ndara 1.2 milion euro për 10 komunat fituese, 4 komuna me nga 150 mijë euro dhe 6 të tjera me nga 100 mijë euro”, tha Matoshi.
Matoshi po ashtu vlerësoi se Komuna e Gjilanit falë punës së kryetarit Haziri, bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi dhe projekteve që Ministria jonë po realizon atje, është duke shënuar progres në mbrojtjen e mjedisit, trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e shtretërve te lumenjve etj.
Nga ana tjetër kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar Ministrin Matoshi për mbështetjen në realizimin e këtij granti që komuna e Gjilanit e ka fituar në kuadër të aksionit për pastrimin e Kosovës si dhe për përkushtimin dhe mbështetjen e tij dhënë komunave në mbrojtje të ambientit.