Komuna e Gjilanit ka rezerva të ujit të pijshëm vetëm edhe për një muaj. Nëse deri në gjysmën e muajit nëntor nuk do të ketë reshje atmosferike, atëherë banorët që furnizohen nga Ujësjellësi “Hidromorava” do të mbeten pa ujë. Kështu bëri të ditur drejtori i kësaj kompanie, Muhamet Suliqi.
Ai tha se në përpjekje për zbutjen e kësaj gjendjeje, kanë filluar hapjen e disa puseve.
Banorët e Komunës së Gjilanit po përballen me mungesë të madhe të ujit të pijshëm. Gjendja e krijuar është pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike. Zyrtarët e Ujësjellësit Rajonal “Hidromorava” thonë se nëse deri në gjysmën e muajit nëntor nuk do të këtë reshje atmosferike, atëherë gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.
Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, i cili tha se niveli i ujit prej ku furnizohet kjo komunë, ka rënë nën 10 metra.
“Sot e kemi nivelin 9,66. Tash po varet edhe prej kohës se a do të kemi të reshura a nuk do të kemi. Nëse nuk do të kem të reshura, nuk po mund të them asgjë konkrete,sepse i kemi edhe disa burime që jemi duke i shtuar. Kështu që mund të shkojë deri në mesin e nëntorit ose fundin e nëntorit, mund të ketë edhe shi që të na ndihmojë ta shtyjmë. Sipas të dhënave, shënimeve që i kemi, deri në 7 metra mund të marrim ujë, nën 7 metra jo, se edhe pompat ashtu janë të dizajnuara që nuk mund të merret ujë.
Suliqi ka thënë se një thatësi e tillë nuk është regjistruar në 20 vitet e fundit në Gjilan.
“Brenda 20 viteve është hera e 4 që po ballafaqohemi me thatësi, por ky nivel asnjëherë nuk ka qenë brenda këtyre 20 viteve. Sipas informatave që i kam, ka qenë në vitin 1994, sa janë reale nuk e di, sepse nuk kam shënime për këtë.”
Suliqi ka thënë se gjendjen e rëndë me ujë të pijes menaxhmenti i Ujësjellësit e ka paraqitur disa herë edhe në Qeverinë e Kosovës, por se kjo e fundit nuk e ka marrë asnjëherë parasysh.
Ndërsa tani, sipas tij, Komuna e Gjilanit i ka ndarë 200 mijë euro për t’i hapur disa puse shtesë, të cilat do të ndihmojnë në furnizim të pjesshëm me ujë të pijes për banorët e Gjilanit./koha/