Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka reaguar pas publikimit të raportit rreth vdekjes së Astrit Deharit.
Përmes një komunikate për media, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i konsideron serioze të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë sa i përket rrethanave të humbjes së jetës së Astrit Dehari, ish aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tyre, fakti që institucionet e Kosovës nxituan të nxjerrnin konkluzione që janë plotësisht në shpërputhje me të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë është tejet shqetësuese, dhe rast për hetim te thellë jo vetëm të rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit por edhe të vet prokurorëve, policëve e zyrtarëve tjerë shtetëror të Republikës sonë që me kaq shumë lehtësi e cilësuan rastin si Vetëvrasje.
“Dëshirojmë të theksojmë që të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë dëshmi që shteti i Kosovës i shkeli Astrit Deharit të drejtën në jetë, duke mos i dhënë mbrojtje minimale në kohën sa ai mbahej në paraburgim. Arsyeja e mbajtjes së tij në paraburgim – e cila shoqërohet me faktin që ai ishte aktivist i një partie politike në opozitë – e shton edhe më shumë përgjegjësinë e shtetit në raport me pasojën e prodhuar. Gjithashtu, dështimi i organeve të ndjekjes penale, dhe nxitimi i tyre në cilësimin e rastit, është tregues i një papërgjegjësie dhe qëllimit kriminal. Asgjë më shumë sesa një e vertetë e validuar me fakte të mjekësisë ligjore nuk i duhej publikut dhe familjes Dehari, por mënyra si veproj Prokurori i Shtetit dhe njësitë tjera shtetërore e demonstruan pikërisht të kundërtën“, thuhet në komunikatë.
GLPS kërkon që rrethi i hetimit të kësaj çështjeje të zgjerohet, duke përfshirë të gjithë zyrtarët shtetëror (përfshirë prokurorë, policë e mjekë ligjor) të cilët kontribuan në cilësimin e rastit dhe nxjerrjen e një konkluzioni hetimor që sot del të ketë qenë i pambështetur në fakte e prova shkencore e kriminalistike.
„Vetëm sjellja para drejtësisë e tërë zingjirit që e sollën këtë situatë mund të sanoj pasojën e krijuar. Thirrjet për hetim të rastit nga shtete të huaja nuk duhen të shërbejnë si metodë për heqje të përgjegjësisë, përkundrazi është koha që me asistencën e huaj prokurorë vendor të jenë ata që i dalin ballë krimit që ka ndodhur në këtë rast“, thuhet tutje në komunikatë.
GLPS gjithashtu konsideron që gjykatat relevante në Kosovë duhet të përcaktojnë përgjegjësinë shtetërore në rastin Dehari, duke gjetur prokurorinë e shtetit, sistemin gjyqësor dhe organet tjera të përgjegjshme për shkeljen e të drejtës në jetë të Astritit, gjë që garantohet me Nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
„Neglizhenca e qëllimshme ose paqëllimshme e organeve ekzekutive në raport me këtë rast, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, duhet sjellur para drejtësisë gjithashtu. Kosova nuk mund të lejoj që rastet e vrasjeve të konkludohen si vetëvrasje, dhe që kjo të bëhet përmes një sistemi të organizuar prokurorial e shtetëror“, thuhet në fund.