Kryetari i Vetëvendosjes dhe njëherësh kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është prioritet i tij shkarkimi i presidentit të vendit, Hashim Thaçi, por e ka ftuar atë që të japë dorëheqje nga posti që e mban.
Kurti ka thënë se “Thaçi do të bënte mirë të tërhiqej se populli ka vendosur për ndryshim”.
Kurti ka deklaruar për “ABC News” se nuk është prioriteti i tij shkarkimi i presidentit të Kosovës, por dorëheqja e tij do të bënte mirë.
Kreu i Vetëvendosjes ka folur edhe për pjesëmarrjen e tij dhe të Thaçit në një ngjarje në Shqipëri.
“Nuk u takova me Presidentin Thaçin se ai mbajti një fjalim dhe shkoi, por do të kem takim me të dhe do jetë një takim shumë i mirë për Kosovën”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për idenë e një Shengeni ballkanik. Sipas tij, Serbia ka për qëllim Jugosllavinë e katërt.
“Serbia është e angazhuar për të krijuar një platformë të re për Serbinë e Madhe. Serbisë i nevojitet një platformë për t’u zgjeruar dhe Jugosllavinë e katërt nuk duhet ta lejojmë, është synimi i Serbisë”, është shprehur ai.
“E kanë kuptuar që në procesin e Berlinit nuk e bëjnë dot, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm. Janë gabim krahasimet që janë bërë, Franca me Gjermaninë, dhe shqiptarët me serbët, se ata i kanë rregulluar kufijtë”, ka thënë Kurti.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, do ndërtojmë republikën e tretë të Kosovës. Kosova dhe Shqipëria duhet të bëhen si dy Gjermanitë”, ka porositur ai.