Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Aleanca ka deklaruar se e mbështet nismën, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do ta shqyrtojë atë nga aspekti juridik. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka një qëndrim zyrtar.
Hamza, gjatë një konference për media në objektin e Kuvendit tha se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Ndryshimet e propozuara
Sipas dokumentit për ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen argumentohet se nevoja e ndërhyrjeve në ligj vjen pas vendimit të 16 shtatorit ku UÇK-ja “u kualifikua si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’”.
“Një përcaktim i tillë prodhon pasoja të rënda kushtetuese, historike dhe politike për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet në dokument.
Sipas dokumentit, Gjykata Speciale u themelua me mendimin se një trup gjykues do të trajtonte pretendimet specifike të përgjegjësisë penale individuale. Por, aty argumentohet se gjetjet thelbësore të trupit gjykues në vendimin e 16 shtatorit, këto gjetje janë në kundërshtim me deklaratën e dhënë nga kreu i trupit gjykues se rasti nuk ka të bëjë me “legjitimitetin e UÇK-së dhe qëllimin e saj për një Kosovë të pavarur”.
Fillimisht kërkohet që në nenin 1 të ngushtohet mandati ligjor i Gjykatës Speciale vetëm “në veprat penale specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” të 7 janarit 2011. Ky ndryshim thuhet se synon “degradimin institucional” të gjykatës në një gjykatë “të jashtëzakonshme kundërkushtetuese” dhe synon krijimin e një mekanizmi ligjor për “transferimin e detyrueshëm të procedurave jashtë kompetencës së Gjykatës Speciale, dosjeve të lëndëve, provave dhe personave të ndaluar te sistemi i rregullt gjyqësor i Kosovës”.
Po ashtu, kërkohet që të ndryshohet edhe neni që ka të bëjë me dënimet maksimale që mund të shqiptohen nga Gjykata Speciale, duke e kufizuar në 15 vjet burgim.
Ky kufizim zbatohet në përputhje me parimin e ligjit më të favorshëm [lex mitior], sipas të cilit ndaj personit të dënuar zbatohet ligji penal që është më i favorshëm për të”, thuhet në dokumentin që e ka parë Radio Evropa e Lirë.
Dënimet, ndërkaq, sipas ndryshimeve, kërkohet që të vuhen në institucionet korrektuese të Kosovës.
Në dokument kërkohet që personat e dënuar nga Gjykata Speciale me vendim të formës së prerë të kenë mundësinë të jenë subjekt i faljes nga presidenti i Kosovës.
Ligji për Faljen nuk i përmend shprehimisht krimet e luftës, por përjashton nga falja personat e dënuar për vepra kundër së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kategori, sipas Kodit Penal, përfshihen edhe krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi.
Dokumenti kërkon që neni 2 të ndryshojë nenin 6 të ligjit aktual, duke kufizuar që lëndët që trajtohen nga gjykata të kenë të bëjnë “ekskluzivisht dhe drejtpërdrejt në nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore të pretenduara shprehimisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” ose në vrasjet e paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe çnjerëzor të kryera “në vende specifike ndalimi të emërtuara shprehimisht në atë raport, me kusht që këto veprime të jenë kryer në funksion të drejtpërdrejtë të operacioneve të marrjes së organeve”.
Në dokument kërkohet që të hiqet pjesa ku Gjykatës i jepet e drejta të ndjekë krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike, që siç thuhet, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me trafikim të organeve.
Një prej ndryshimeve që kërkohet të bëhet në ligj është edhe koha e hetimeve që mbulon Gjykata Speciale. Në të kërkohet që të jetë nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 – teksa në ligjin aktual periudha e hetimeve të krimeve të pretenduara të kryera nga ish-anëtarët e UÇK-së është nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Po ashtu, kërkohen ndryshimet edhe sa i përket juridiksionit territorial, duke e kufizuar në veprat që mund të jenë kryer brenda territorit të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka hetuar dhe për krime që pretendohet se janë kryer edhe në veri të Shqipërisë.
Ndryshimet parashohin edhe procedura të përshpejtuara për verifikimin e juridiksionit dhe kërkohet që palët të mund të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë.
Po ashtu kërkohet që gjykimet e pushuara dhe aktakuzat e konfirmuara të transferohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore, të Apelit dhe Supremes në Prishtinë, ndërkaq hetimet dhe dosjet paraprake të transferohen në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë.
Ndryshimet e propozuara po ashtu kërkojnë që me procedurat administrative të transferimit të lëndëve dhe materialeve pas pushimit të procedurave për shkak të mungesës së juridiksionit të merren institucionet vendore të drejtësisë.
Përmes ndryshimeve thuhet se synohet rregullimi i transferimit fizik të personave të privuar nga liria në Kosovë. Personi i ndaluar, thuhet në dokument, duhet që brenda 48 orëve të dalë para një gjykatësi në Kosovë, i cili më pas do të vlerësojë masën e sigurisë, sipas ligjit vendor.
Po ashtu kërkohet që trupat gjykues dhe panelet duhet të kryejnë një rishqyrtim të juridiksionit për çdo çështje brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.
“Kur aktakuzat përmbajnë akuza të përziera, procedura ndahet dhe transferohet vetëm pjesa që bie jashtë juridiksionit, ndërsa çdo vendim jo i formës së prerë që trajton akuza jashtë juridiksionit të rishikuar anulohet në atë pjesë”, thuhet ndër të tjera në dokument./REL/










