Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka nisur një “tur” në Shqipëri. Ka pasur shumë takime e intervista me liderë e mediet atje.
Në një nga këto, Kurti ka zbuluar se i ka kërkuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ta heqë pagesën që është vënë për “Rrugën e Kombit”.
Kurti thotë se me Ramën ka folur për heqjen e barrierave mes dy shteteve, e nga këto është përmendur edhe pagesa prej 5 eurosh që duhet paguar në autostradën që e lidhë Shqipërinë me Kosovën.
“Ne kemi hapur çështjen e bashkëpunimit ekonomik dhe liberalizimit të tregut, dhe heqjen e barrierave tregtare. Dhe unë kam shprehur qëndrimin tonë se ndërkohë që e kemi një kufi të padrejtë administrativ, ta kemi dhe një pengesë shtesë për të cilën duhet të paguash. Është shumë e rëndë për qytetarin shqiptar, prandaj unë angazhohem për një zgjidhje alternative të kësaj. E kemi hapur si temë, por edhe kjo është një temë që nuk e kemi mbyllur”, ka thënë Kurti për Ora News.
Kurti u takua me Ramën mbrëmë, ndërsa ka thënë se ky ka qenë takimi i parë mes tyre pas 14 muajve.