Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka filluar përgatitjet për regjistrimin e popullsisë.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet të nisë në prill të vitit 2021, një dekadë pas regjistrimit të fundit të vitit 2011.
Zyrtarë të ASK-së thonë se përgatitjet kanë filluar në vitin e kaluar por tani po shkojnë duke u intensifikuar.
Javën që vjen ASK organizon konferencën ‘Java e regjistrimit të popullsisë 2021’ ku për pesë ditë me radhë do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve e profesionist të fushës.
“Konferenca që do të mbahet ‘Java e regjistrimit të popullsisë 2021’ ka ftuar fokus grupet, kryesisht do të flitet buxhetin, mënyrën e financimit, do të flitet për metodat e aplikimit në regjistrimin e popullsisë” tha për RTK, Hazbije Qeriqi , zyrtare për medie në ASK.
Për regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 në vazhdimësi ka pasur vërejtje e debate të shumta.
Kësaj radhe të dhënat do të mblidhen me tablet e kjo do të përshpejtoj përpunimin e tyre.