Kanë kaluar disa muaj prej kur Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Megjithatë, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, fshat ky i cili gjendet në zonën kufitare me Serbinë, aktivitete të tilla po zhvillohen ilegalisht.
Gjatë tërë ditës së martë, ekipi i televizionit T7 ka qëndruar në fshatin Karaçevë, ku shihej se po ndërtohen disa kontejnerë ‘montazh’, të cilat sipas burimeve të televizionit, do të përdoreshin për të ushtruar veprimtarinë me lojëra të fatit.
Por, veprimtaria e tillë nuk do të kufizohej me vetëm këtë objekt. Disa metra tutje ku po kryheshin këto ndërtime, anash një restoranti, shihet mbishkrimi “Apex games”. Njoftimi se aty ka kazino është i ngjitur madje edhe në shtyllë elektrike.
Veprimtari të ngjashme realizojnë edhe në disa objekte të tjera, të gjitha afër njëra-tjetrës.
Për banorët e fshatit Karaçevë, prezenca e lokaleve të tilla është shqetësuese. Megjithatë ata nuk duan të flasin para kamerës, nga frika se mund të kenë pasoja.
“Tri kazino të reja janë duke u punuar, montazhno janë. Ndërsa tri të tjera nuk kanë ndaluar asnjëherë së funksionuari ani pse i ndaluan me ligj, hiç s’u marrë vesh”, ka thënë në mënyrë anonime një banor i Karaçevës për T7.
Televizioni një ditë më parë gjatë gjithë ditës, ka tentuar të marr një përgjigje nga Policia e Kosovës, rreth këtyre aktiviteteve ilegale. Por, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkohë, Organet e Sigurisë, të martën rreth orës 18:00 duket se kanë zhvilluar një operacion në këtë zonë.
Përmes raporti 24 orësh ata kanë njoftuar se një ditë më parë kanë arrestuar 4 persona në këtë zonë.
“Është raportuar se gjatë kontrollit në gjashtë lokacione të ndryshme, ku ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit në mënyrë të kundërligjshme, janë gjetur dhe janë sekuestruar: një llaptop, dhjetë shtëpiza kompjuteri, pesë telefona, tetë TV monitorë, 1200 € kesh para, pesë tiketa të lojërave të ndryshme dhe disa tiketa tjera” thuhet në raport.
Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar projektligjin përmes të cilit lojërat e fatit do të ndaloheshin me ligj.
Muaj më parë, T7 kishte raportuar se banorët e Karaçevës ishin ankuar në Polici të Kosovës, për këto veprimtari ilegale.