Çdo vit në Kosovë mbi 200 persona vdesin nga sëmundjet e mushkrive, gjë e cila mund të vijë drejtpërdrejt me ndotjen e lartë të ajrin në vend.
Kosova është rikthyer në 20-shen e vendeve më të ndotura në botë. Pak vende poshtë Pekinit të Kinës, Kosova renditet e 17-ta këtë të mërkurë për nga ajri i ndotur. Kjo ka qenë e vërejtshme, në gjithë kryeqytetin, kurse niveli i ndotjes së ajrit pothuajse çdo ditë po i tejkalon parametrat e normales.
Sipas matjes së Ambasadës Amerikane, kur ajri është i pashëndetshëm, qytetarët këshillohen të shmangin qëndrimin në ambient të hapur, të mbyllin dritaret dhe të përdorin maska.
Kjo cilësi tejet e lartë e ndotjes së ambientit është faktori kryesor, i cili po i rrezikon qytetarët nga sëmundjet kronike të mushkërive.
Pulmologu në Klinikën e Mushkërive në QKUK, Skënder Baca, thotë se numri i të prekurve nga sëmundjet e mushkërive është rritur pikërisht për shkak të ambientit të ndotur, raporton KTV. Sipas tij, në botë nga kjo sëmundje vetëm brenda vitit vdesin 3 milionë njerëz, ndërsa në Kosovës ky numër shkon deri në 200 pacientë.
Ndërkaq, shkaktar kryesor i ajrit të ndotur llogaritet të jetë Korporata Energjetike e Kosovës dhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje, sikurse edhe djegia e derivateve nga veturat e vjetra.
E për këto të fundit po kërkohet që të vihet akcizë e naftës, në mënyrë që të ulet sado pak ndotja e ambientit.
Një gjë e tillë u kërkua në konferencën e Institutit për Politikë Zhvillimore bashkë me Ekipin e Kombeve të Bashkuara me temën “Ndotja e ajrit në Kosovë dhe perspektiva e Agjendës 2030.
Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thanë se në bazë të të dhënave që posedojnë, vendet me më së shumti probleme mjedisore janë ato me gjendje sociale jo të mirë, dhe këtu bën pjesë edhe Kosova.
Muaj më parë, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, alarmoi se nëse nuk merren masa urgjente, niveli i lartë i ndotjes së ajrit, do të ketë efekte negative në sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.