Aleanca ka deklaruar se qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas saj po e mban pushtetin ilegalisht, është çuarja e vendit në zgjedhje të reja.
Kjo parti ka thënë se zhvillimet e fundit përputhen me qëndrimet e saj të mëhershme, duke akuzuar VV-në për fajësim të partive të tjera dhe përpjekje për caktimin e datës së zgjedhjeve në një kohë që i konvenon asaj.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit, Aleanca e ka bërë të qartë se qëllimi i njerëzve që sot po e mbajnë pushtetin ilegalisht është çuarja e vendit në zgjedhje të reja. Ajo që kemi parë deri tani përputhet me atë që kemi thënë vazhdimisht, fajësimi i partive të tjera dhe caktimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve në datën që u konvenon atyre”, thuhet në një deklaratë pas mbledhjes së Këshillit të Kryetarëve të degëve të Aleancës, të mbajtur sot.
Aleanca ka kritikuar gjithashtu qeverisjen e Vetëvendosjes, duke e akuzuar për probleme në sektorin e energjisë, furnizim me produkte nga Serbia, dëmtim të bizneseve vendore dhe përçarje të qytetarëve.
“Pushteti që e lë vendin pa energji dhe në mëshirën e mafias energjetike, që energjinë e sjell prej Serbisë. Pushteti që blen edhe barna, gur e zall prej Serbisë. Pushteti që i dënon bizneset vendore dhe shkatërron ekonominë e vendit. Pushteti që krejt çka arrin të bëjë është t’i përçajë qytetarët e vendit, nuk meriton të qeverisë me jetën e qytetarëve”, theksohet në fund të deklaratës së Aleancës.










