Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot anëtaren e Senatit të Francës, Helen Conway-Mouret, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.
Thaçi u shpreh se Kosova ka zhvilluar një proces elektoral shembullor dhe se tani pret formimin e qeverisë së re.
“Kosova ka një demokraci të avancuar”, u shpreh Thaçi dhe shtoi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve pret që shpejt të formohet qeveria që do të shtyjë përpara proceset e rëndësishme për Kosovën.
Ai theksoi se Kosova dhe i tërë Ballkani Perëndimor pret përkrahje më konkrete nga BE-ja.
“Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave dhe pret vendim meritor nga BE dhe shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi.
Senatorja Conway-Mouret u shpreh se Franca përkrah perspektivën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
Thaçi tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç se të vazhdojë të angazhohet për të realizuar aspiratën për t’u bërë anëtare e BE-së.