Në tremujorin e tretë të vitit 2019 janë regjistruar 2,379 ndërmarrje, krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie për 10.4 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje për 6.29 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.
Kështu thuhet në raportin “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike, tremujori i tretë 2019” të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, dhe motoçikletave me 572 ndërmarrje të regjistruara ose 24.04 për qind, prodhimi me 294 ndërmarrje të regjistruar ose 12.35 për qind, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 275 ndërmarrje të regjistruara ose 11.55 për qind, ndërtimtaria me 245 ndërmarrje të regjistruara ose 10.29 për qind dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 197 ndërmarrje të regjistruara ose 8.28 për qind.
“Për sa u përket ndërmarrjeve me numrin e të punësuarve, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2.287 ndërmarrje të regjistruara apo 96.1 për qind, me 5 deri 9 të punësuar janë 51 ndërmarrje të regjistruara ose 2.1 për qind, 10 deri në 19 të punësuar janë 26 ndërmarrje të regjistruar apo 1.1 për qind, me 20 deri 249 të punësuar janë 14 ndërmarrje të regjistruara ose 0.6 për qind dhe në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar është një ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Komuna e Prishtinës me 740 ndërmarrje të regjistruara apo 29.3 për qind, Ferizaj me 177 ndërmarrje të regjistruara ose 7.4 për qind, Prizreni me 175 ndërmarrje të regjistruara apo 7.4 për qind, Gjilani me 156 ndërmarrje të regjistruara dhe Peja me 127 ndërmarrje të regjistruara apo 5.3 për qind, secila prej tyre dhe Mitrovica me 122 ndërmarrje të regjistruara me 5.1 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor. /Telegrafi/