Lutfi Haziri është akuzuar vazhdimisht se ka sabotuar negociatat për koalicion mes LDK-së dhe VV-së. Por, pikërisht në pjesën e negociatave ku ai është deleguar, atë të dialogut, del se këto dy parti kanë qëndrime krejtësisht të harmonizuara, shkruan Periskopi.
Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës e cila në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të udhëhiqet nga Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si duket ka në plan që tarifën 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ta zëvendësojë me masën e reciprocitetit në këtë mënyrë t’i hap rrugë dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas anëtares së kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kalimin e taksës në reciprocitet karshi mallrave serbe dhe boshnjake ka pajtueshmëri në mes dy subjektet LVV-në dhe LDK-në.
Sipas saj, ndaj shtetit serb me qeverinë Kurti do të ketë reciprocitet në të gjitha fushat, çoftë në aspektin ekonomik, politik e tregtar.
“E kemi parë si masë të duhur që është e njohur edhe ndërkombëtarisht reciprocitetin në këtë rast reciprocitetin politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Prandaj, qeverisja e ardhshme në masën apo vendimin për tarifën do e zëvendësojmë me reciprocitet të plotë. Këtë e kemi diskutuar edhe në takimin e fundit që kishim me përfaqësuesit e LDK qëndrimet përputhen për shkak se edhe ata e kanë pasur si premtim gjatë fushatës zgjedhore reciprocitetin, po besoj është një avancim në këtë kuptim sepse edhe Lëvizja Vetëvendosje do të angazhohet për reciprocitet”, tha Haxhiu.
Ndërkohë edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i cili para dy dite tha se taksa është bërë një pengesë.
“Pritjet e mia për Kurtin duke supozuar që do të bëhet kryeministër është se do të jetë partner i mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se do të punojë ngushtë me neve në kërkim të objektivave dhe qëllimeve tona të përbashkëta. Se ai do ta kuptoj se dialogu me Serbinë është i rëndësishëm jo vetëm Kosovën, por edhe për ShBA-të, dhe ta integrojë atë në të menduarit e vetë dhe do të gjej mënyrën për t’u kthyer në tavolinën e negociatave përfshirë edhe për çështjen e adresimit të taksës, e cila është bërë një pengesë”, tha ai.
Pro heqjes së taksës dhe vendosjes së masave të reciprocitet me shtetin serb është shprehur edhe njohësit tjetër i çështjeve ekonomia, Mustafë Kadriaj, i cili tha se taksa në aspektin politik ishte e mirë por vazhdimi i taksës në pakufi solli acarim të raporteve në mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas tij, opsioni më i favorshëm karshi Serbi është heqja e tarifës 100 përqind.
“Mendoj se edhe me rekomandime të Bashkimit Evropian, bashkësisë ndërkombëtare po ashtu organizatave botërore të tregtisë masat e reciprocitet gjithmonë janë aktuale sepse në momentin që njëri shtet masa të një anshme automatikisht edhe shteti tjetër tenton që ta mbroj ekonominë vendore apo prodhimin vendor. Në këtë drejtim mendoj që Kosova e ka të obliguar masat e reciprocitetit sepse edhe ne duhet të jetojmë dhe në kuadër të CEFTA-së si shtet funksional…Taksa gjithsesi duhet të hiqet dhe me masa të reciprocitet duke e ruajtur partneritetin ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të“, theksoi Kadrijaj.
Tarifa 100 përqind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u vendos më 21 nëntor të vitit 2018 nga qeveria në largim. Ky veprim erdhi si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.