Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka qenë kontributdhënës në takimin e sotëm të zhvilluar mes këtyre dy partive.
“Jam i bindur që kontributi i Hazirit ka qenë shumë i nevojshëm në këtë takimin tonë. E tëra që mund të them është që ai realisht i ka kontribuar atmosferës së mirë të arritjes së pajtueshmërisë për këto dy fusha. Ne folëm sot për arsimin dhe shëndetësinë”, ka thënë Konjufca, njofton Klan Kosova.
“Ende nuk e kemi caktuar një takim në të cilin do të flitet ndarja e dikastereve. Kemi caktuar takimin e ardhshëm vetëm për politikat sociale. Shumë tema të politikës së jashtme dhe projekte madhore si energjia ndodh t’i lëmë në nju nivel më të lartë ndoshta mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës”.
Lidhur me deklaratën e Hazirit se “pozita e kryeministrit kalon nëpër zyret e LDK-së”, Konjufca po para këtyre zyrave është shprehur: “Sa i përket Kryeministrit kurrë nuk është kontestuar. Fakti që pas pamundësisë së arritjes së koalicionit parazgjedhor… prej atëherë qytetarëve ua kemi shpjeguar që Kryeministri zgjedhet përmes votës së popullit”.
“Ua lamë qytetarëve dhe tashmë është e qartë që mandatari për Kryeministrit do t’i përket subjektit që ka fituar numër më të madh të votave. Këtë marrëveshje nuk e ka kontestuar asnjë prej subjekteve politike”.
Konjufca ka theksuar se ato që kanë dalë janë forma të shprehjes për mendime të caktuara politike të cilat as që janë trajtuar nëpër takimet e tyre.
“Bisedat nuk janë biseda pazaresh, por të sinqerta qysh e ka vendosur qytetari për ndryshime në Kosovë. Për dhjetë ditë ose dy javë do të përfundojnë negociatat për krijimin e qeverisë së re”.