Përfundimi i numërimit të votave nga diaspora ka qartësuar tashmë ndarjen e mandatave për partitë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 32 vende në legjislaturën e re.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës nga 29 deputetë.
Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 25 vende në legjislaturën e ardhshme, ndërsa 14 vende do të jenë për koalicionin mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.
Nga minoritetet, Lista Serbe, që dirigjohet nga Beogradi zyrtar, do t’i ketë 10 deputetë.
Llogaritjen e numrit të deputetëve e ka bërë njohësi i procesit zgjedhor, Blerim Vela.
Sipas tij, koalicioni mes Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë nuk e ka kaluar pragun prej 5 për qind për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.