Pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë në largim, në të cilën u miratuan disa propozimvendime dhe kërkesa buxhetore, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, para gazetarëve këmbënguli se taksa nuk duhet të hiqet dhe se ajo e ka konsoliduar Kosovën, duke shtuar se s’ka reciprocitet deri në njohje nga Serbia, shkruan sot gazeta Zëri.
Pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, foli para gazetarëve rreth efekteve dhe ndikimit politik të taksës në prag të njëvjetorit të vendosjes së saj. Haradinaj ka thënë se taksa është një ndër temat që ka konsoliduar Kosovën. “Politikisht nuk është vetëm taksa, por edhe qëndrimet të cilat i kemi mbajtur si Kosovë, që e kanë konsoliduar Kosovën dhe nuk është e varur nga tavolina e znj. Mogherinit. Një vakuum prej produkteve serbe e mbulon prodhimi vendor, i cili është rritur, është zhvilluar dhe ka ndikim direkt në ekonominë e vendit. Vazhdimisht takoj prodhues dhe janë të shqetësuar me fatin ose me epilogun që do të ndodhë nga kjo”, ka thënë ai.
Ndërsa duke folur për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, Haradinaj potencoi se ka shumë aspekte ku mund të vendoset reciprociteti dhe fokusi nuk është vetëm te taksa. “Unë e pëlqej idenë e reciprocitetit, por për aspekte të tjera. Taksa nuk duhet të hiqet, po habitem me disa që thonë ashtu. Kushdo që shkon asaj rruge i bën dëm edhe vetes, edhe Kosovës. S’ka reciprocitet deri në njohje nga Serbia”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu ka kërkuar nga ministrat e tij në detyrë të mbajnë edhe një mbledhje të radhës, në rast se vonohet krijimi i qeverisë së re.
Qeveria në detyrë në mbledhjen e djeshme, të mbajtur pothuajse pas tre muajsh, ka miratuar propozimvendimin për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, në pajtim me Nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Ministri në detyrë i Financave para kabinetit qeveritar ka bërë të ditur që nga shqyrtimi i të gjitha kërkesave të organizatave qeveritare del se kursimet dhe ndarjet për kategori janë mbi 31 milionë euro. “Ministria e Financave ka shqyrtuar të gjitha kërkesat e organizatave buxhetore duke harmonizuar dhe duke përgatitur materialet e duke miratuar propozimvendimin për kursimet dhe ndarjen në kuadër të kategorive ekonomike të nivelit qendror. Kursimet dhe ndarjet në kuadër të kategorive të shpenzimeve të organizatave buxhetore të nivelit qendror janë prej 31 milionë e 217 mijë e 581 eurosh”, ka bërë të ditur Hamza.
Këto dy propozimvendime i ka arsyetuar ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, i cili tha se përfitues i vendimit të parë është Policia e Kosovës me mbi 4 milionë euro për blerje të pajisjeve, po ashtu para i janë ndarë edhe Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Jashtme si dhe SSHKUK-së. Në këtë mbledhje është miratuar edhe Raporti i Thesarit për të hyrat dhe për shpenzimet për periudhën nëntëmujore të vitit 2019, si dhe kërkesa për ndarjen e mjeteve shtesë për Ekipin e Zhvillimit të Kompaktit, të cilat mundësojnë vazhdimin e angazhimit të ekspertëve për përgatitjen e suksesshme për përfitim të grantit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Qeveria miratoi po ashtu vendimin për rivarrimin e dëshmorëve të kombit dhe propozimvendimin për rivarrimin e heronjve Afrim Zhitia, Fahri dhe Bahri Fazliu, Agron Rrahmani në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” në “Velani”, para festës së 29 Nëntorit të këtij viti.
Mbledhja e fundit e Qeverisë në detyrë ishte mbajtur më 26 korrik.