Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj pret që shumë shpejt të ndërtohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai ka përshëndetur idenë e Vetëvendosjes dhe LDK-së, për zvogëlimin e numrit të ministrive, por ka këshilluar Kurtin që të ketë kujdes me Listën Serbe.
Haradinaj në një intervistë për EkonomiaOnline ka folur, për qeverinë e re, dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe Gjykatën Speciale.
“Unë e përshëndes në radhë të parë idenë për 12 ministri. Por nuk jam i mendimit që duhet përjashtuar Lista Serbe. Nuk ta bën Qeverinë më pak të Kosovës, ose ma pro serbe një ministër, cilido qoftë ai. S’ka çka të bën ai në qeveri. Pse se frikësohesh prej askujt. Ne qëndrojmë në të drejtën tonë, në Kushtetutën tonë, secili në tavolinë e sheh se çka bën Kosova. Unë i kam pas edhe pse kanë dal ma vonë prej qeverisë, por nuk është se Lista Serbe e ka dërguar qeverinë dika. Ju shiheni Qeverinë time. Unë e kam pasur partnerë shumë serioz Listën Serbe, por përkundrazi ne i kemi kryer punët në interes të Kosovës. Ata kanë shprehur mospajtim dhe e kanë lëshuar qeverinë. Pra mundet edhe z.Kurti nëse e merr Listën Serbe nesër, ata mund të vendosin me lëshua, por qeveria vazhdon, sepse prej një partneri më të vogël nuk ndalet qeveria. Nuk u ndal as në rastin tim”, thotë ai.
Haradinaj thotë se çdo veprim të mirë të Qeverisë Kurti do ta mbështesin, por e këshillon atë që të ketë kujdes me taksën ndaj Serbisë.
Thotë se nëse tenton ta shfuqizojë atë do të hasë në kundërshti të plotë.
Madje thotë se kjo është një dëshirë e kamotshme e Vuçiqit.
“Pra 12 ministri është drejt, duhet ta respektojmë dhe besoj që do të jetë një veprim i mirë dhe i mençur dhe do të mbetet në histori për përgjysmimin e ministrive, realisht është një ngjarje e mirë. Te pjesa e veprimeve me Serbinë, dialogu, taksa reciprociteti, e ka të vështirë të ndryshojë diçka nga ato çka kemi bërë ne. Është vështirë të merr kurs të ri në raport me Serbinë, kur është ajo e njëjtë. Nuk i kemi marr për arrogancë ato vendime për mosndarjen e Kosovës, ose mos shkëmbimin e territoreve, që ka qenë maskim për ndarje. Vendimin për Ushtrinë, për Trepçën, pavarësimin energjetik. Pra s’mundesh tash t’i me ia kthye dikujt pavarësimin energjetik, sepse e ka fituar Kosova këtë pavarësi. Vendimin për taksën nuk duhet me e dëmtua. Sepse dëmtohet pozicioni strategjik i vendit tonë, i qeverisë tënde përballë Serbisë. Nëse reciprociteti është masë shtesë pa e heq taksën, e përgëzoj. Nëse reciprociteti është maska që me i shti mallrat serbe në Kosovë, e me na pushtua Serbia ekonomikisht ende pa na njohur, atëherë këtu shprehu kundërshtim dhe mendoj se Kurti bën gabim të madh dhe nuk mundem t’ia aprovoj këtë”, thotë ai.
Haradinaj thotë se ndërkombëtarët, përfshirë edhe ShBA-në do të mbështesë çdo vendim të liderëve kosovarë, nëse këta të fundit janë unik në qëndrime dhe nuk përçahen.
Ankohen në ish-partnerët e tij të PAN-it se e lanë vet kur ishte në pyetje taksa ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.
“I vetmi rast kur amerikanët mërzitën me ne është kur kemi mendime të kundërta. Nëse ne jemi të gjithë bashkë përballë Serbisë, ata e din kush është Serbia edhe ata kanë shqetësime me këtë shtet. Një Serbi që po armatoset vazhdimisht prej Rusisë, një Serbi që po filtron me fuqitë të tjera e jo euroatlantike. Një Serbi që shfrytëzon çdo mundësi për të provokuar edhe sigurinë. Ne nuk do të kemi kurrë probleme me aleatët tanë kur kemi qëndrime të njëjta. Pra kur i themi Serbisë, dialog pa kushte. Sepse unë thosha dialog pakushte, këta të tjerët më thoshin hiqe taksën, pra u bëjshin me Serbinë. Kushdo nga Kosova që ka thënë se duhet suspenduar taksa është bërë me Serbinë, sepse ka qenë ky kusht i Vuçiqit me u kthye në dialog kur hiqet taksa. Imagjinoni kur bëhen të gjithë andej, e unë mbes vet, atëherë aleatët kanë problem me ne. Nëse ne jemi në një fjalë nuk ka lidhje kush është kryeministër. Qëndrimi im do të jetë pro temave të interesit nacional sa i përket Serbisë dhe integrimeve euroatlantike. Pra rreziku është kur ndahemi. Nëse Kurti thotë reciprocitet dhe nuk e heqim taksën unë duhet t’i them po, ki të drejtë. Por ashtu duhet t’i thotë edhe LDK-ja, PDK-ja dhe të gjithë të rrimë në ato pozicione”, thotë ai.
Lideri i AAK-së, komentoi edhe përpjekjet e VV-së dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për të bashkëqeverisur.
Thotë se VV-ja ka dëshirë t’i atribuojë vetës një meritokraci. Megjithatë shprehet se këto dy parti do ta kenë më lehtë se ai për ta krijuar qeverinë.
“Ajo çka hetoj unë është që ndoshta një dëshirë e VV-së për t’ia atribuuar vetes një meritokraci më të madhe për ndryshim. Dihet se VV-ja ka fituar rreth 26 për qind të votave edhe LDK-ja 25. Nëse VV-ja nuk din të harmonizojë çka ka thënë votuesi, sepse jo të gjithë kanë thënë VV, por një pjesë e madhe kanë thënë LDK, sikurse që kanë thënë edhe PDK, AAK-PSD etj. Pra është gabim dhe këtu është problemi i tyre. Pra nuk është kjo çështje me dominim ose me diktakt. Këtu duhet të harmonizuar pikëpamjet, kërkesat, specifikat. Unë e kam pasur shumë të vështirë të krijojë qeverinë e kjo është në një pozitë dukshëm më të lehtë. Por shpresoj se VV-ja dhe z.Kurti nuk do të provojnë me diktakt dhe dominim, por me harmonizim”, thotë ai.
Megjithatë, Haradinaj thotë se është në interes të Kosovës, që të ketë institucione të reja sa më parë, në të kundërtën rrezikon kredibilitetin e fituar në ditën e zgjedhjeve.
“Është mirë që sa më parë të ndërtohen institucionet e reja. Gjysma e suksesit kanë qenë ditën e zgjedhjeve, gjysma tjetër i përket formimit të institucioneve. Nëse nuk ndërtojmë institucione, ajo gjysma e parë e suksesit zhbëhet dhe del që Kosova është e paaftë të zbatojë rezultatin e zgjedhjeve. Do të ishte në interes të Kosovës që të fillojnë punën institucionet e reja në një afat kohor sa më optimal ligjor. Me iu gëzua mos ndërtimit të institucioneve është rrezik për Kosovën”, thotë ai.
Haradinaj: Demarkacioni me Malin e Zi do të korrigjohet
Pavarësisht deklarimeve të presidentit malazez, Filip Vujanovic, se puna e demarkacionit me Kosovën ka marr fund, Haradinaj këmbëngul se do të ndodhë korrigjimi dhe se Qakorri e Kulla do të mbesin në territorin e Kosovës.
“Ata thotë që është e kryer sepse është ratifikuar këtu në Kosovë dhe atje. Por po ashtu është lënë edhe instrumenti i një korrigjimi të marrëveshjes në këtë rast në dy drejtime. Në atë të Qakorrit dhe të Kullës. Kur ne provojmë të themi që do të merremi vesh për së dyti herë, për ata del e papranueshme, pasi që e dini se Mali i Zi ka një opozitë pro Serbisë bukur të madhe. Dhe ne duhet të kemi kujdes në deklarata publike nga ana jonë, Ne kemi një proces të ndërtuar me Malin e Zi për shënjimin e vijës dhe kur e shënojmë vijën ne kemi lënë instrumenti që kjo vijë të shënohet drejt, pra në këtë rast në Qafa të Qakorrit dhe Kullës”, thotë ai.
Haradinaj: Vendimi për liberalizimin e vizave merret në dhjetor
Kryeministri në largim edhe njëherë është shprehur i bindur se një vendim për liberalizimin e vizave do të ndodhë gjatë muajt dhjetor dhe se qytetarët e vendit së shpejti do të lëvizim pa viza në vendet e BE-së.
Ai nuk po pajtohet me deklarimet e zyrtarëve të BE-së se Kosova nuk po e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Shembull se në Kosovë nuk është korrupsioni në nivel siç pretendohet, Haradinaj e merr procesin zgjedhor të 6 tetorit.
“Një sistem politik i korruptuar më së shumti i godet zgjedhjet dhe i kish korruptuar ato. Nëse të gjitha institucionet pjesëmarrëse në zgjedhje kanë treguar kaq integritet është një ekzagjerim në rastet e caktuara i nivelit të të këqijave në Kosovë. Nuk po them që nuk ka nevojë të vazhdojë Kosova të përballet me luftimin e krimit, korrupsionit, të këqijave. Por të vazhdohet të mbahet në retorikë këtë temë, ku një vend mbanë zgjedhje kaq kredibile, ku dallimi në rezultat është aq i vogël e të gjithë e pranojnë rezultatin, mendoj që ua kanë mbyll gojën evropianëve dhe të gjithëve. Do t’ua mbyllte gojën edhe më shumë ndërtimi i institucioneve. Nuk po them negativisht, por do t’ lënte pa fjalë nëse ndërtojmë edhe institucione dhe fillon qeverisja. Unë e di që në fund të nëntorit është një proces, por nuk dua t’i detajizoj këto procese sepse ashtu është natyra e punës dhe e di që në dhjetor jemi të gatshëm për marrjen e vendimit për liberalizim. Unë pres që këtij vendimi t’i prinë Gjermania në dhjetor. Në dhjetor pres vendimet formale të Këshillit të Ministrave dhe të vendeve lidere”, thotë ai.
Haradinaj bashkëluftëtarëve: Mos u ligështoni, qëndroni të fortë
Në këtë intervistë për EO Haradinaj foli edhe për Gjykatën Speciale.
Këshillon bashkëluftëtarët që të mos ligështohen nga ky proces dhe të qëndrojnë të fortë.
Ai po ashtu ka kërkuar edhe nga veteranët që të rrinë të qetë dhe të mos provokojnë ndonjë situatë që do të dërgonte në trazira, pasi që shpreson se edhe kjo sfidë do të kalojë dhe lufta e UÇK-së do të spastrohet nga kjo njollë e zezë dhe e pa drejt.
“Këshilla ime për të gjithë bashkëluftëtarët është që mos të ligën. Kur kemi luftuar, kemi luftuar për lirinë e vendit tonë. Jemi në të drejtën tonë. E drejta është në anën tonë dhe në anën e Zotit, pra s’ka nevojë askush me u ligë, por të gjithë duhet të tregohemi në respekt të drejtësisë. Unë qëndrimin e kam me heshtje dhe nuk kam fol para hetuesve. Motivacioni është se marr ofendim, që po m’i bëhet luftës. Kur unë kam shpëtuar familjen, kam shpëtuar popullin, e ata më marrin si të dyshuar. Nuk shoh arsye për panik apo edhe që dikush me u ligë, trazira. Pasi që e ka votuar kuvendi ynë dhe udhëheqësit tanë. Pra janë gjëra që i kemi bërë vet dhe nuk na i ka bërë i huaj. 80 vetë i kanë quar duart në parlament dhe duhet të jetojmë me të”, thotë ai.
Haradinaj ka siguruar të gjithë ata që mund të jenë subjekt i kësaj Gjykate se do të kenë përkrahjen e institucioneve shtetërore.
Thotë se është krenar me të kaluarën e tij dhe të të gjithë bashkëluftëtarëve.
“Në të gjitha rrethanat kam shprehur vullnetit t’i shprehu përkrahje dhe mbrojtje të gjithëve që janë palë e kësaj Gjykate. Kosova nuk i len bijtë e vet pa përkujdesje, pa përkrahje. Kurrë s’ka me i lënë. Nuk e di a do të jem vet pjesë e një akuze, edhe pse dy herë kam qenë atje, por jam krenar me jetën time dhe luftën për liri. Jam krenar për bashkëluftëtarët. Nuk është me rëndësi se nga ka ardhur ai. Kanë ndodhur plotë gjëra edhe pas luftës nga shërbime të huaja të cilat kanë synuar përçarjen tonë. Arsyeja pse kemi bërë koalicion atëherë me presidentin Rugova ka qenë pikërisht kundërgoditje atyre që u mundoheshin me nda popullin në dy krahët. Këta janë ata që kanë luftua, e këta që janë kundër lirisë dhe luftës, e që nuk është e vërtetë. Dhe unë u bëj thirrje qytetarëve tanë, popullit tonë, liridashësve që kurrë një të mos ligën. Ky është një proces, kalon edhe ky. Ne e dimë pse kemi luftuar. Ata që kanë vdekur nuk kthehen, por ne jemi të ri, të gjallë dhe të zot dhe s’ka nevojë me u ligë askush”, përfundon Haradinaj.