Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Lista Serbe nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.
Në një intervistë për mediumin serb N1, ka thënë se një ministër do të jetë nga komuniteti serb por që nuk nënkupton që ai të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.
“Unë do ta respektoj Kushtetutën, por bëj një dallim në mes të diçkaje që është detyrim kushtetues dhe një koalicioni politik nga ana tjetër. Ne po mundohemi që të krijojmë një koalicion që nuk do të kërkojë votat e Listës Serbe”, ka thënë Kurti.
“Lista Serbe do të jetë në opozitë dhe një ministër do të jetë nga komuniteti serb, nuk nënkupton që ai do të jetë në koalicion. Nacionaliteti serb nuk është anëtarësi partie por përkatësi kombëtare”.
Në këtë intervistë, Kurti ndër të tjera është pyetur edhe për flamurin shtetëror të Kosovës, të cilin ka thënë se do ta mbajë në Zyrën e Kryeministrit.