Edhe shtatë të rinj tjerë në Gjilan kanë përfituar grante për ndërmarrësi në kuadër të një programi të partneritetit mes Komunës së këtushme, USAID-it dhe organizatës gjermane HELP.
Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik, e cila ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit, ka thënë se fillimisht ishin ndarë 12 grante, ndërsa tani, nga lista rezervë po mbështeten edhe 7 përfitues të tjerë.
Tahiri ka thënë se ky është një program mjaft atraktiv për të rinj, ku përfitues janë të dyja gjinitë, në mënyrë të barabartë. Po ashtu, përfitues ka si nga qyteti, ashtu edhe nga fshati.
Tahiri ka thënë se Komuna merr pjesë me 25 për qind të shumës në këtë program të granteve për të rinj, që jepen në pajisje.
Shqipe Breznica, drejtoreshë e organizatës HELP, i ka uruar përfituesit, duke thënë se sot po nënshkruhen kontratat me grupin e dytë, pasi që USAID-i ka vendosur t`i shtojë fondet për këtë program dhe u shpreh e bindur se deri nga mesi i dhjetorit, ata do t`i marrin pajisjet e nevojshme për punë.
“Ne do ta monitorojmë procesin e shpërndarjes dhe të funksionalizimit të pajisjeve”, ka thënë Breznica.
Përzgjedhja e përfituesve të granteve, është mbështetur në baza meritore. Qëllimi i këtij programi është mbështetja për idetë kreative në sektorin privat dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.
Drejtoresha Tahiri është shprehur e kënaqur që Komuna e Gjilanit është përzgjedhur në këtë program, ku përfitues të granteve janë edhe femrat.