Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci ka reaguar ndaj, siç e ka quajtur ai, stigmatizimit dhe linçimit të bashkëpartiakes së tij dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla në protestën e sotme të organizuar nga OVL UÇK në kryeqytet.
“Në emër të Partisë Guxo dhe si kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme. UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht”, ka shkruar Peci në fillim të reagimit të tij.
Ai tutje ka thënë se protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci.
“Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër. Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur “Jusuf Gërvalla”) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe”, ka shkruar tutje Peci.
Ai në fund ka kërkuar ndaljen e sulmeve ndaj Gërvallës.
“Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë! Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës”, ka përfunduar Peci, që njëherësh edhe kryetar i Komunës së Mitrovicës.
Gjatë protestës së sotme, kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka dorëzuar dokumentacion në Hagë, teksa ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti shkarkimin e saj.










