Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bashkë me Kryesinë e LDK-së, ka mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë.
Mustafa, në këtë mbledhje ka thënë se kanë përafrim me Vetëvendosjen, por janë disa fusha që kanë dallim. Ai tha se dalllojnë pak në çështjet ekonomike e sociale.
Por, Mustafa ka thënë se sot s’do të diskutojnë lidhur me ndarjen e ministrive.
Mustafa, tha se në mbledhje u informuan nga grupi punues i LDK-së lidhur me rrjedhën e dialogut e gjithçka tjetër me Vetëvendosjen, për të arritur harmonizimin.
“Ekipi ynë bëri punë të mrekullueshme, nën harmonizim me LVV-në. Është arritur mjaft shumë harmonizim, në aspektin ekonomik, arsimit, shëndetësisë, sundimit të ligjit, sigurisë dhe pjesën sociale, që u diskutua dje. Janë arritur pajtime të nivelit të kënaqshëm edhe të organizimit të Qeverisë, dhe si do të funksionojnë edhe ministritë e ardhshme. Qeveria e ardhshme do të jetë më efektive dhe më ekonomike. S’kemi nevojë të merremi me çështje që s’pajtohemi, edhe pse janë shumë të pakta”, tha Mustafa.
Pas certifikimit të rezultateve, tha ai, “do të zhvillojmë takime edhe në nivelin e lartë”.
“Do të harmonizohen edhe në çështje tjera, që lidhen me dialogun me Serbinë, me funksionim kushtetues e ndarjes së përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme.
Sipas Mustafës, LVV-LDK do t’i përmbahen të gjitha parimeve.
Mustafa tha se janë disa çështje të ekonomisë, me të cilat me LVV-në s’kanë shumë përafrim, dhe në çështjet sociale.
“Tek çështjet sociale ka pak dallime, që më shumë kanë të bëjnë me konceptin tonë”, tha Mustafa.
Mustafa, edhe njëherë tha se LDK-ja e ka pranuar që kryeministri i takon partisë e cila ka dalë e para në zgjedhje, në këtë rast LVV-së.