Fatmir Rexhepi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës deri në vitin 2017, derisa më parë ka qenë edhe pjesë e Qeverisë.
Ai në vitin 2017 nuk ishte pjesë e listës së LDK-së për deputetë, por ai u rikthye si kandidat për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit duke arritur që të rizgjedhet si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Rexhepi në Klan Kosovës ka treguar pse ka vendosur që në këto zgjedhje të parakohshme t’i rikthehet garës për deputet.
“Që nga viti 2001 deri në vitin 2010 për tri mandate rresht isha deputet i LDK-së, pastaj nuk u kandidova në zgjedhjet që u mbajtën në vitin 2010. U riktheva në vitin 2014. Më pas, në vitin 2017 për shkaqe që i kemi biseduar në Këshillin e Përgjithshëm dhe brenda LDK-së u tërhoqa sërish dhe rikandidova tani në vitin 2019”.
“Mora besimin e elektoratit jo vetëm tash, por po bëhen 20 vjet që e kam besimin e plotë të elektoratit në Gjilan dhe gjithandej Kosovës”.
Ai duke e komentuar rezultatin e LDK-së në Gjilan është shprehur i bindur se kjo parti i ka pasë rezultatet jo të mira sa është thënë.
“LDK-ja në Gjilan nuk ka dalë edhe aq keq sa po flitet në opinion. Matjet mund t’i bëni me krahasimet e vitit 2017 apo ato të vitit 2014. Unë besoj se numri i elektoratit që ka votuar sillet po aty, përveç asaj që Vetëvendosja ka bërë një hap tutje”.
“Ndryshe, nuk besoj që LDK-ja në Gjilan ka pësuar humbjen çfarë po flitet. Mendoj që jemi në nivelin e elektoratit që na ka përkrahur”.
Por, çfarë rezultati priste ai për LDK-në në zgjedhjet e 6 tetorit në nivel vendi?
“LDK-ja rezultatin e ka synuar pak më ndryshe. Të gjitha angazhimet politike, kandidatura e Vjosa Osmanit, besimi i plotë te ajo dhe me një unitet dhe frymë që u krijua në LDK dhe që e cila e përcolli këtë fushatë zgjedhore, kishim besim të plotë që do të bëjmë kthesë më të madhe”.
“LDK-ja e në fund e kishte të pamundur të fitonte sepse kishim lëvizje të mëdha nga diaspora, një elektorat i cili erdhi dhe votoi në Kosovë ku të tjerët ishin më të përgatitur që në këtë rast ishte Lëvizja Vetëvendosja. Mendoj se ka qenë mungesë e aktivitetit të LDK-së me diasporën dhe kjo besoj se ka qenë vendimtare në përcaktimin e partisë së parë”.
Rexhepi ka treguar se cili do të jetë fokusi i tij si deputet i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
“Mandati përfaqësues në Parlament të jep një detyrim të madh politik. Unë besoj se për t’i dalë hak elektoratit duhet që me përvojën tonë në politikë dhe në fushat tjera të japim kontribut në ato fusha ku mbulohet puna në Parlament”.
“Pjesëmarrja në Parlament nënkupton që si deputet të angazhohesh në Komisionet Parlamentare, Debatet Parlamentare, konferencat e ndryshme brenda vendit apo jashtë vendit që njihet si diplomaci parlamentare”.
“Unë kryesisht do të fokusohem në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Energjetikë dhe Transport ku kam qenë edhe më herët”.
A beson ai se do të ketë një koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për bashkëqeverisje?
“Unë jam i bindur që po. Besoj që fryma dhe kërkesa e elektoratit në Kosovë ishte për ndryshime. Ka qenë rendi që PDK-ja që të shkojë në shtëpi dhe në opozitë”.
Ai është shprehur i bindur se LDK-ja dhe Vetëvendosja do të arrijnë të harmonizojnë programet e tyre.
“E natyrshme që partitë me histori të ndryshme dhe me dallime të mëdha ose të vogla nuk mund të mendojnë krejt njësoj, por me koalicionin besoj që do t’i afrojnë pikëpamjet”.
“Duhet të kemi parime të shëndosha mbi të cilat ndërtohet një koalicion. Unë besoj që LDK-ja dhe Vetëvendosja i ka afruar pikëpamjet dhe konceptet, nëse kemi pasë dallime në fusha të ndryshme”./KlanKosova