Rinumërimi i rreth 90 përqind të vendvotimeve në nivel të vendit, po shihet si aspekt negativ dhe që e dëmton të gjithë procesin zgjedhor. Kjo shënon njëherësh edhe numrin më të madh të vendvotimeve të rinumëruara në një proces zgjedhor.
Në zgjedhjet e 6 tetorit në nivel të vendit kanë qenë 2 mijë e 547 vendvotime, ku nga ky numër janë rinumëruar gjithsej 2 mijë e 269 vendvotime apo rreth 90 përqind e vendvotimeve.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ishin rinumëruar 540 vendvotime, ndërsa në vitin 2014 ishin rinumëruar rreth 530 vendvotime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për KosovaPress ka bërë të ditur se numri i vendvotimeve që rinumërohen pas zgjedhjeve të 6 tetorit është 2 mijë e 269 vendvotime.
Elezi ka bërë të ditur se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, janë rinumëruar 540 vendvotime, ndërsa në vitin 2014 janë rinumëruar 530 vendvotime.
Numri i madh i vendvotimeve të rinumëruara po shihet si aspekt negativ dhe që po e dëmton të gjithë procesin zgjedhor.
Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë se rinumërimi i rreth 90 përqind e vendvotimeve e vë në dyshim dhe e degradon procesin zgjedhor.
Baraliu thotë se zgjidhja më e mirë e kësaj problematike është që numërimi i votave të kandidatëve të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe jo në vendvotime.
Se rinumërimi i pothuajse të gjitha vendvotimeve e dëmton procesin zgjedhor e thotë edhe analisti politik Rasim Alija, sipas të cilit ky rinumërim ka bërë që qytetarët ta perceptojnë se procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar.
Zvogëlimin e numrit të vendvotimeve që rinumërohen Alia e sheh si zgjidhje reformën zgjedhore. Ai thotë se reforma zgjedhore duhet ta shtyjë idenë e numërimit të dyfishtë.
Kujtojmë se mbrëmë ka filluar procesi i rinumërimit të 1 mijë e 428 vendvotimeve pas vendimit që ka marrë Paneli për Ankesa dhe Prapashtesa.