Gjatë kësaj jave në vendin tonë do të ketë mot kryesisht me vransira, kohëpaskohe me reshje shiu.
Nga e mërkura rënie e lehtë e temperaturave dhe reshje bore në vendet malore. Temperaturat e ajrit do të mbeten mbi vlera mesatare, edhe pse në pjesën e dytë të javës do të pësojnë një rënie të lehtë. Minimalet do të luhaten nga 5C deri në 8C, e maksimalet nga 12C deri në 16C.
Fusha të presionit të ulët që po depërtojnë mbi Mesdhe, e më pas edhe nga rajoni ynë, do të kushtëzojnë ditëve në vijim mot kryesisht me vransira, e kohëpaskohe me kalimin e sistemeve frontale mbi vend do të sjellin edhe të reshura shiu.
Ditën e mërkurë në vise malore mbi 2000m priten edhe reshje bore. Orëve të mëngjesit nëpër ultësira do të krijohen kushte edhe për mjegulla, njofton Prishtina Weather.
18.11 – Në mëngjes vende-vende me reshje të dobëta shiu. Ditën vransirat do të shpërndahen, e në mbrëmje priten kthjellime.
19.11 – Në mëngjes në ultësira mundësi për mjegull. Ditën kryesisht vranët. Vonë në mbrëmje priten reshje të dobëta shiu.
20.11 – Më freskët, kryesisht vranët, e kohëpaskohe me shi. Në mbrëmje pjesërisht vranët.
21.11-22.11 – Kryesisht me vransira. Të enjten në mëngjes në ultësira mundësi për mjegull, e ditën e premte, pasdite dhe në mbrëmje mundësi për riga lokale shiu.
Do të fryejë erë e lehtë dhe mesatare nga juglindja 2-7m/s, e në pjesën e dytë të javës lehtë nga verilindja-lindja 1-4m/s. Shtypja atmosferike do të luhatet kryesisht mbi vlera të normales.