Bashkë me pallatet në Durrës e Thumanë, ra edhe politika. Njerëzit gjinden me jetë ose fatkeqësisht pa jetë nën gërmadha si pasojë e termeteve të njëpasnjëshme, por idetë dhe politika e çoroditur, nuk do të gjinden. Janë fundosur për tu mos u rikthyer më kurrë.
Ky është populli shqiptar, këta jemi ne ata të vërtetit. Kur shajmë, bërtasim e akuzojmë, etiketojmë e nxjerrim vrerë, e kemi ose falso ose të ndikuar nga politika, nga ideologjitë politike. Nuk jemi ata, jemi saktësisht këta të këtyre ditëve. Nuk ka edhe një tjetër popull si ne, andaj si dje, sot dhe nesër, ishim dhe do të jemi shembulli më i mirë i humanizmit, solidaritetit, sinqeritetit e dashnisë për llojin e vet, edhe përtej tij.
E, ku ka gjë më rrënqethëse kur mjetet e grumbulluara për fëmijën e sëmurë e i cili fatkeqësisht ka ndërrua jetë, ti jap për vëllezërit që pësuan nga fatkeqësia natyrore..?! Apo, kur i moshuari me lot në sy, dhjetë eurot e fundit i ndan me ty, ose dikush me sëmundje të pashëruar dhe me ndihmë sociale të shtrinë dorën e ndihmës..?! Sinqerisht, nuk ka edhe një popull si shqiptarët!
Nuk është promovim apo reklamë nëse dhuron diçka dhe e bën publike, përkundrazi, është gjëja më e mirë që mund ta bësh. Është motiv për tjetrin, është shembull për të tjerët. Nuk duhet lejuar që të humbë besimi dhe motivi shkaku që disa matrapazë keqpërdorin ndihmën që ne bëjm. Ata nuk janë njerëz, madje as si kafshë jo. Ata që duan të përfitojnë mbi fatkeqësinë e tjetrit, ata janë në gjendje kome moralisht, njerëzisht, kombëtarisht, dhe në çdo pikëpamje. Janë pak dhe nuk do ta kenë mundësinë ta mundin një komb të tërë.
Qofshin të mëshiruar gjithë ata që humbën jetën nën gërmadhat e pallateve, familjet që humbën të afërmit do t’i kenë shumë miliona shqiptarë anembanë botës në mbështetje dhe ndarje të dhimbjes. Kjo fatkeqësi natyrore, ndaj të cilës jemi totalisht të pafuqishëm si njerëz, le të shërbej në rënien e mureve ndarëse, qoftë fizike apo politike. E dhimbshme që veç në ngjarje të rënda bashkohemi. Lutemi që ky bashkim sot të zgjas për aq kohë sa të jetë kombi shqiptar.