Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se akoma shpreson që Kosova do e marr lajmin për liberalizimin e vizave para festës së Krishtlindjeve.
Ai këto i tha para medieve sot kur vendosi lule pranë shtatores së Presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë.
“Javën e kaluar e patëm një delegacion gjerman për vlerësim të situatës dhe shpresoj që do të marrim lajmin e mirë për vizat para Krishtlindjeve”, është shprehur Haradinaj.
Për liberalizimin e vizave kishte folur edhe deputeti gjerman i CDU-së, Peter Beyer.
Ai në një konferencë në Prishtinë gjatë shtatorit kishte deklaruar se nuk mund të jap datë për liberalizimin e vizave por që beson se kjo mund të jetë dhuratë për Krishtlindje gjatë këtij viti.
“Gjermania është mbështetës i sinqertë për Kosovën dhe integrimin në BE, edhe për liberalizim. Ka pasur edhe data për liberalizim. Ne nuk kemi dhënë asnjëherë datë, ne kemi folur për procesin. Megjithatë ne jemi vetëm një vend, ka edhe shumë shtete që duhet përkrahur këtë proces. Është e padrejtë që Kosova nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do të jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë dhuratë për Kërshëndella” kishte thënë Beyer./insajder