Pas harmonizimit të plotë të programit qeverisës, sot do të takohen liderët e dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët do të tentojnë ta projektojnë qeverinë e re. Se sa do të arrijnë të dakordohen për pozitën e presidentit dhe për ndarjen e posteve ministrore topi mbetet te Kurti e te Mustafa.
Meqë LDK dhe LVV fundjavën që lamë pas kanë arritur t’i harmonizojnë programet 100%, në takimin e sotëm që do të mbahet mes liderëve të partive, do të ndahen gjitha postet dhe do të nënshkruhet marrëveshja finale e koalicionit. Kështu ka thënë për “Zërin” deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka pohuar se marrëveshja pothuajse ka ndodhur. “Meqenëse tashmë jemi pajtuar sa i përket aspektit programor, ka mbetur edhe disa çështje përfundimtare që do të finalizohen dhe gjatë ditës së nesërme(e hënë) do të nënshkruhet marrëveshja, do të caktohen bartësit e përgjegjësive dhe personat kompetent për pozita të caktuara”, ka thënë deputetja e VV-së.
Nagavci nuk ka dhënë detaje për ndarjen e ministrive, e as postin e presidentit, teksa ka shtuar se gjithçka do të bëhet publike sot. “Të hënën me publikimin e marrëveshjes do të bëhen publik edhe personat kompetent për gjitha pozitat qeveritare”, ka shtuar ndër të tjera ajo.
Në anën tjetër takimin e sotëm të dy partive e kanë konfirmuar për “Zërin”, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, si dhe ai i LVV-së, Arlind Manxhuka, të cilët po ashtu nuk kanë dhënë hollësi të tjera rreth marrëveshjes./ZERI