Presidenti Hashim Thaçi pas homazheve që ka bërë në kompleksin përkujtimor në Reçak i është kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit që masakrën e Reçakut e ka quajtur trillim.
Thaçi para gazetarëve ka thënë se Reçaku është pika kulminate e masakrave të kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë.
“Duhet të kujtojmë të kaluarën dhe të ecim përpara për një të ardhme për të gjithë qytetarët, për forcimin e shtetit,m për të ardhmen tone euroatlantike. Reçaku është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer ndaj popullatës civile në Kosovë në kuadër të gjenocidit të shtetit të Serbisë. Serbia ka kryer 400 masakra në Kosovë kundër civilëve, ka vrarë rreth 1300 fëmije dhe nga aparati shtetërorë i Serbisë janë dhunuar rreth 20 mijë gra dhe kemi rreth 13 mijë shqiptarë civilë të vrarë. E ritheksoj se Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar Thaçi.
Presidenti Thaçi ndërkaq ka falënderuar Ambasadën e Zvicrës pas mohimit që Vuçiqi i bëri masakrës së Reçakut, duke thënë se kjo ambasadë ka qenë e qartë në formulimet e veta.
Kujtojmë se Ambasada e Zvicrës në një reagim të përbashkët me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se çdo deklaratë për luftën duhet të bazohet në fakte dhe duhet të tregojë respekt ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
“Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë përkrahin reagimet e fuqishme dhe të qarta kundër deklaratës së bërë nga presidenti Vuçiq që mohoi krimet në Reçak. Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak janë kryer krime masive kundër shqiptarëve, shumica e të cilëve ishin civilë të paarmatosur”, thuhet në reagim. /Reporteri.net/.