Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu konfirmon se brenda kësaj jave do të takohen lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Por nëse LDK vazhdon të insistojë për presidentin atëherë alternativa e vetme sipas Haxhiut është që vendi të shkojë në zgjedhje.
Madje Haxhiu këtë kërkesë të LDK-së e ka quajtur të pakuptimtë.
Sipas saj nuk ka pasur veprime të ngutura për krijim të koalicionit qeverisës pasi ende edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimiste për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së , pasi sipas saj çështja e presidentit është ajo që i ka dalluar këto dy subjekte pasi që në të gjitha pikat tjera ata janë dakorduar.
Lidhur me atë se koalicionin ndërmjet VV-së dhe LDK-së po e lë pezull edhe ndarja e disa ministrive, Haxhiu tha se ajo nuk qëndron pasi sipas saj të gjithë ministrat pavarësisht cilit subjekt do i takojnë ata do jenë llogaridhënës tek kryeministri në ardhje, Albin Kurti.
Ndryshe, takimi i fundit që u zhvillua në mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa ka ndodhur më 2 dhjetor, ndërsa nga ajo ditë nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër.
Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit e ka bërë më 27 nëntor./rtk/