Në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës po e shohin ndryshe postin e presidentit të Kosovës në kontekst të ndërtimit të koalicionit.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se po të kishte fituar LDK-ja zgjedhjet e 6 tetorit Kurti do të ishte presidenti i ardhshëm.
“Tashmë do ta kishim qeverinë me VV-në 24 orë pas certifikimit. Me siguri Kurti do të ishte presidenti i ardhshëm, e një anëtar i VV-së kryetar i Kuvendit”, ka thënë ai, teksa ka folur në KTV.
Ai ka thënë se me VV-në janë marrë vesh para zgjedhjeve se do të ndahen postet politike, e këtu ai thotë se do të përfshihej edhe posti i presidentit.
“Ka qenë pjesë e një marrëveshje paraprake, draft-marrëveshje ku është thënë se çështjet e pozitave politike do të diskutohen brenda partnerëve. Nuk është diskutuar në detaje sepse as marrëveshja s’ka qenë voluminoze siç është tani sepse nuk e dinim se si do të dalim prej zgjedhjeve. Ka një draft por nuk është diskutuar, ka qenë kapitull, pikë e një dokumenti”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka reaguar ndaj deklaratave të Abdixhikut.
“Lumir Abdixhiku po thotë se nëse VV do te kishte dale e dyta për 24 ore do te ishte kryer marreveshja. E vertete. Problemi është se LDK nuk po pranon te pajtohet me faktin se ka dale e dyta”, ka thënë ai.
“Sa i përketë presidentit është gabim te spekulohet se Albin Kurti do te ishte bere president. Neve kemi thënë në fushatë se posti i presidentit duhet te mbetet jashtë negociatave për qeverisje. Kete e kane thene edhe figura te LDK-se. Ne jemi te vendosur ta mbajmë fjalën si gjithmonë.”