Sot po bëhet 2 vite,që kur u nda nga jeta gazetari gjilanas Xhavit Salihu, themelues i njërës nga radio stacionet më me zë në Gjilan, Radio Star. Salihu ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare, në mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit 2017. Një datë që u përjetua rëndë edhe nga ne familjaret dhe kolegët e tij, sepse në përditshmërinë rutinë, në mesin e shumë lajmeve të përgatitura, me dhimbje dhamë edhe lajmin se, “Xhaviti na la!”.
Sot, në këtë ditë, në këtë përvjetor të dytë pa të, përveç kujtimit nga më të dashurit, familjarët e tij, miq e shokë, ai kujtohet edhe nga kolegët gazetarë, pasi mungesa e tij fizike vazhdon të ndihet akoma, veçmas tek ata që pothuajse pjesën më të madhe të ditës e kaluan bashkë, në kërkim të lajmit, për ta ndarë më pas atë me publikun, të tjerët në mediumet e tyre, e Xhavit Salihu përmes valëve të radios, frekuencave 96.4 FM, të radios që e themeloi vet ai, më 2002 e që e emërtoi Radio Star.
Por, krejt këto zhvilloheshin në mendjet tona, në mendjet e atyre që e kanë njohur mirë atë, andaj edhe kujtim për të shpalosej lehtas, si rrjedhë e natyrshme lumi.
Xhavit Salihu ishte i mishëruar me punën e tij, prej gazetari dhe drejtuesi të një radioje. Sidomos kur ishte në pyetje muzika me vlerë, emri i tij nuk mund të mos përmendej. Gjithmonë kishte shije të veçantë, të stërholluar për muzikën. Fonoteka e tij ishte e pasur, me kaseta, pllaka të gramafonit, shirite, disqe, e çka jo tjetër, andaj e pakuptimtë ishte pyetje për të: “A e ke këtë këngë?!”. Fonoteka e tij personale, tejet e pasur, e rregulluara mirë e me shije, në fakt ishte edhe e dëgjuesve të Radio Star, sepse ai e ndante atë, përmes valëve të radios, ku transmetonte muzikën më të mirë për dëgjuesit besnikë të Radio Star.
Kishte vullnetin e fortë për punë. Edhe kur shëndeti nisi ta tradhtonte, sikur donte të përçonte mesazhin e tij se, jo, nuk ka dorëzim por duhet vazhduar, duhet avancuar gazetaria, duhet forcuar radioja dhe bërë edhe ma profesionale, duhej informuar publiku sa më objektivisht. Por, sëmundja e lodhi, deri në ditën kur nga familjarët u dha lajmi se Xhavit Salihu iku në amshim, duke lënë kështu një boshllëk në gazetarinë gjilanase.
Ai iku, duke lënë pas vet, vite të shumta dashuri për profesionin e gazetarisë, për muzikën, për radio stacionin që e themeloi vet. Pra mbeti kontributi i tij i jashtëzakonshëm në gazetari, në informimin me kohë dhe në mënyrë objektive të publikut, përmes mediumit që ai e ngriti.