Pavarësisht masave të ndërmarra për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë niveli i ndotjes po vazhdon të jetë i lartë edhe më tej. Për shkak të nivelit alarmant të ndotjes së ajrit gjatë këtij muaji shumë qytetarë kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të problemeve respiratore që u janë paraqitur.
“Përveç ndotjes, që na dhurohet nga sistemi i Korporatës Energjetike të Kosovës, ne përballemi me ndotje edhe nga veturat e shumta që qarkullojnë në Prishtinë e që mendohet të jenë afro 13 mijë e 5000 sosh”, ka thënë ai.
Me këtë rast ai ka konsideruar se ndotja shpeshherë nuk është e kontrolluar, pasi që mungojnë matësit adekuatë për ndotje. Gjendjen sipas tij e ka rënduar edhe mjegulla, e cila ka mbuluar vendin javëve të fundit. “Më tepër se një muaj në Kosovë e në veçanti në Prishtinë është një mot pa të reshura dhe me temperatura relativisht të larta për këtë stinë të vitit. Në këto kushte kemi pasur dhe pa dyshim që do të kemi një ndotje shumë të lartë.
Këtë situatë e ka vështirësuar edhe mjegulla bukur e dendur, që ka mbajtur ditëve të kaluara”, ka deklaruar ai.
Ndaj pasojat e ajrit të ndotur, sipas Krasniqit, mund të jenë të mëdha, sidomos gjatë kohës kur në vend ka mjegull. “Pa dyshim se ndotja është një fenomen i rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Natyrisht rrezikshmëria është më e madhe kur kjo përcillet me mjegulla të dendura, e tillë çfarë pamë para pak ditëve në Kosovë. Kjo më së tepërmi prek të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare, respiratore, me sëmundje të diabetit etj.”, ka theksuar ai./ Zeri.