Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nëse nuk ka koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje Plani B është që LDK-ja të shkojë në opozitë.
Të mërkurën LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, kurse Mustafa pas mbledhjes ka folur për media.
“Plani B i yni është që të shkojmë në opozitë. Nëse e bëjmë qeverinë me Vetëvendosjen e bëjmë. Nëse nuk e bëjmë atëherë nuk pranojmë asnjë mandate nga presidenti dhe asnjë marrëveshje me subjektet e tjera. Edhe opozita është çështje e ndershme, edhe aty kontribuohet”, ka thënë Mustafa.
Ai ka theksuar se deri më tash nuk ka parë vullnet nga Lëvizja Vetëvendosje për të dalur nga kriza dhe se çështja e pozitës së presidentit nuk është çështje që duhet të bllokojë.
“Çështja e presidentit duhet të diskutohet, është prej pozitave që do të sfidohemi. Nuk është një çështje që duhet të na bllokojë. Është çështje e zotimit, por jo çështje që do të ndodhë sot. Unë nuk shoh asnjë pengesë që Vetëvendosje të pranojë ta japë atë zotim që LDK-ja ta japë atë kandidat, ashtu si LDK-ja që ka besim për kryeministrin e Vetëvendosjes”, ka thënë Mustafa.