Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se Vetëvendosje duhet t’i shikojë edhe një herë rezultatet e zgjedhjeve, pasi që këto dy parti nuk dallojnë shumë me vota.
Këto deklarata, Mustafa i bëri në shënimin e 30 vjetorit të themelimit të LDK’së.
“Duam një marrëveshje meritore për qeverisjen e ardhme. LDK ka lexuar rezultatet e 6 tetorit dhe po sillet me përgjegjësi. Edhe LVV duhet t’i lexojë qartë dhe të pranojë se jemi subjekte që gati barabartësisht kemi dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, me diferencë të një deputeti, për çka jemi pajtuar që pozita e Kryeministrit t’i takojë partnerit tonë”, ka thënë Mustafa.
Tutej, ai ka shtuar se dëshiron ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e fundit.
“Ndarja e përgjegjësive kemi vlerësuar se duhet të jetë në harmoni me besimin qytetar që kemi marrë në këto zgjedhje. Në përpjekjet tona për bashkëqeverisje jemi të vetëdijshëm për dallimet ideologjike, kulturën politike dhe të kaluarën. Por duke vlerësuar vullnetin qytetarë po bëjmë përpjekje që të gjejmë rrugën për zgjidhje”, tha Mustafa.
Kujtojmë se dy subjektet në fjalë kanë vetëm edhe 3 ditë kohë që të zyrtarizojnë koalicionin mes tyre, deri më 26 dhjetor, kur edhe pritet të mbahet seanca konstituive./gazetametro.net