Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së në një intervistë ekskluzive për ABC News, tha se nisma e Mini Shengenit Ballkanik, është propozuar që më 2007, nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu, por se nuk hasi në mirëkuptim, ndaj dhe nuk vazhdoi diskutimi më tej.
Haziri, tha gjithashtu se e kanë bërë të ditur këtë shqetësim në takime informale që para takimit të Novi- Sadit.
“Kosova ka një konsensus të paorganizuar politik, që po e refuzon pa e diskutuar këtë iniciativë, me vetë faktin që Serbia nuk ka ndryshuar qëndrim. I kemi thënë edhe kryeministrit shqiptar, në takime informale dhe formale, se duhet të priste ndërtimin e institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit. Meqë kjo zhurmë politike dhe ky reagim yni politik, ka ndodhur se Kosova është përgjatë një procesi zgjedhor dhe duke qenë në proces zgjedhor, ka qënë e pamundur që ne ta pranonim delegimin e kësaj të drejte, kujtdo qoftë. Do duhej pritur, do duhej definuar qartë, do duhej që paqartësinë tonë në këtë lloj partneriteti rajonal, ta sqarojmë deri në fund. Të gjitha dyshimet dhe hezitimet që ka Kosova duhen qartësuar, si në rrafshin ekonomik, të qarkullimit të lirë të mallrave, e të asaj që quhet integrim i doganave. Do duhej ta shihnim rolin kritik të Republikës së Kosovës në këtë drejtim”, tha Haziri.