Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka konfirmuar dështimin e marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Pretendenti për Kryeministër, ka treguar edhe arsyet për të cilat është bllokuar marrëveshja me LDK-në.
Ai ka thënë se në seancën e nesërme të thirrur për konstituim të Kuvendit të Kosovës do të shkojnë pa dakordim me LDK-në.
VV dhe LDK si dy partitë e para për nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, janë pajtuar plotësisht për programin qeverisës, por ndarja e hiseve është bërë problem i madh për to, gjë që ka ndikuar në zvarritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Ndryshe, zyrtarët e VV-së nuk shohin rrugë tjetër të formimit të qeverisë, në rast se LDK nuk pranon të bëjë marrëveshje me ta, duke përmendur edhe zgjedhjet e parakohshme si opsion të dytë.