Në seancën e sotme të Kuvnedit Komunal të Gjilanit, njëra ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe ajo që kishte të bënte me raportin e Komisionit komunal për ankesa në emërtimin e rrugëve.
Në këtë, pikë njëri nga ata që dha kontributin e tij me diskutim, por edhe me propozime konkrete ishte Shefik Surdulli, anëtar i kuvendit nga radhët e Partisë dDemokratike të Kosovës (PDK), i cili ka kërkuar emërtimin e një rruge në qytet me emrin Reshat Sadiku, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai tha se e ka shfletuar shfletuar me kujdes raportin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave të emërtimit të rrugëve…, me këtë rast i ka përgëzuar dhe falënderuar anëtarët e Komisionit për punën e tyre në një material voluminoz, që e kanë bërë me përkushtim profesional, pavarësisht lëshimeve që do të ndodhnin secilit prej nesh, kur kemi parasysh kompleksivitetin e çështjes së shqyrtuar.
Ai tha se i ka veçuar dy a tri raste. Nga ana procedurale, Surdulli tha se mund ta kuptoj Komisionin për Ankesa që për shkak të, siç përshkruhet në arsyetim “dokumentacion i pakompletuar”, por megjithatë, emri i veprimtarit Reshat Sadiku (i ndjerë), është i njohur për qytetarët e Gjilanit me rrethinë, e me gjerë.
“Këtu fjala është për një veprimtar të shquar për atdhedashuri, për luftën e tij për liri dhe ideal kombëtar; për një revolucionar me fillesa që nga mosha e re djaloshare; për një të brumosur me idetë patriotike të rilindasëve tanë deri në të fundit përpjekje të luftëtarëve vullnetar në mbrojtje të kufirit kombëtar, të cilën luftë e bëri edhe i ati i tij, Xhemaili, krah për krah me Mulla Idriz Gjilanit. Do të thotë, shëmbëlltyra e Reshat Sadikut ishte vijimësi e brezave të lindur e të rritur nëpër luftërat shekullore për liri dhe çlirim kombëtar”, theksoi Surdulli, transmeton 2LONLINE.
Ai ka shtuar se veprimtaria patriotike atdhetare, humanitare, e Reshat Sadikut, nuk është e panjohur për qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë, aq sa t’i rrudhim supet sikur nuk kemi dëgjuar për të bëmat e tij.
“Përjetësimi i emrit të Reshat Sadikut në një rrugë të qytetit, mbase është më e pakta që ne sot mund të bëjmë për te, si për një të përndjekur të ilegales, të burgosur politik; një luftëtar i lirisë i rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në ndihmesë të luftës së Kosovës Lindore; një veteran luftëtar, i cili edhe në paqen e pas luftës në Kosovë, nuk u ndal së vepruari për Gjilanin tonë, për vendin e tij, asnjëherë, deri në frymën e fundit, më 2 dhjetor 2012, kur edhe pushoi se rrahuri zemra e një patrioti tonë të dashur”, tha tutje Surdulli.
Ai shtoi se emërtimi i një rruge të qytetit me emrin e Reshatit, i bënë nderë të gjithëve, pa dallim, i bënë nder komunës së Gjilanit.
Surdulli ka kërkuar miratimin e Kuvendit që, me plotësimin e dokumentacionit, t’i rekomandojë Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit që të identifikojë një zonë të qarkullimit publik në qytet, për emërtimin e një rruge më emrin, Reshat Sadiku, transmeton 2LONLINE.