Derisa qytetarët tjerë kanë festuar në familjet e tyre natën e vitit të ri, dikujt i është dashur që këtë natë të rri zgjuar dhe të kujdeset për shëndetin e tyre. Por, të rralla janë rastet kur qëllon që të dy bashkëshortët të jenë kujdestarë natën më festive të vitit, siç ndodhi në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Mjeku Luan Mustafa ishte kujdestar në repartin e kirurgjisë, ndërsa doktoresha Burbuqe Mustafa, bashkëshortja e tij, në repartin e gjinekologjisë, ku ajo është edhe udhëheqëse.
Në një moment ata u bashkuan për të uruar njëri-tjetrin për shëndet, suksese e mbarësi në punë e familje në vitin 2020.
Mjeku Luan Mustafa e ka përshkruar vetë në profilin e tij këtë natë:
Në ndërrimin e motmoteve, unë dr. Luan Mustafa me dr Burbuqe Mustafa me stafin e kolegëve nga shërbimi i Anesteziologjisë Internistike dhe stafin e teknikëve medicionalë sot më datë 31 jemi në shërbim të mbrojtjes shëndetësore të popullatës së Gjilanit dhe Anamoravës.
Të gjithë miqve, familjarëve, kolegëve në shërbim detyre dhe atyre që festojnë pranë familjeve të veta, të sëmurëve që gjenden në kurim, ju dëshiroj një fillim të mbarë të vitit 2020 me shumë dashuri, respekt dhe mbarësi si dhe mirëqenie pranë familjeve tona, ka përfunduar Mustafa.
Mjeku Luan Mustafa thotë se në mjekësi koha përkthehet me jetë dhe se po i humbe sekondat, mund ta humbasësh një jetë.
Doktoresha Burbuqe Mustafa, bashkë me ekipin, para disa javësh bënë një ndërhyrje të guximshme, ku arritën ta shpëtojnë beben dhe ta rikthejnë në jetë edhe nënën, duke i sfiduar edhe protokollet shkencore.
Me raste të tilla, mjekët mund të ndeshën më rrallë, por ata duhet të jenë të gatshëm për t`u përballë me çdo sfidë brenda atyre sallave të ftohta, ku sillen vërdallë jeta dhe vdekja./MediaFokus/