Liderët e subjekteve politike të Luginës shpresojnë se përfaqësimin në Kuvendin e Serbisë do ta kenë me më shumë se dy deputetë.
Liderët e shqiptarëve të Kosovës Lindore janë bërë bashkë që në zgjedhjet parlamentare në Serbi të garojnë me një listë unifikuese, nga e cila po synojnë t’i nxjerrin deri në katër deputetë. Përmes pjesëmarrjes në parlamentin e Serbisë shqiptarët kanë për qëllim që trajtimi diskriminues i tyre të merret parasysh nga instanca më e lartë e shtetit, në mënyrë që të ndikohet për ndryshim dhe për përmirësim të gjendjes, shkruan Zëri.
Shaip Kamberi, nga Partia për Veprim Demokratik, e cila në parlamentin serb ka pasur disa herë përfaqësues, thekson se kësaj radhe bashkë me partitë tjera mund t’i fitojnë më shumë se dy deputetë. “Përvoja aktuale dhe e kaluar dëshmon se edhe kur ka garuar vetë PVD-ja ka arritur ta sigurojë një deputet e në zgjedhjet e vitit 2014 edhe dy deputetë. Prandaj kur kësaj iniciative i bashkohen edhe partitë e tjera gjasat për të pasur më shumë deputetë shqiptarë rriten”, ka nënvizuar ai.
Mirëpo Kamberi thekson se numri i deputetëve do të varet nga dalja në zgjedhje e elektoratit në Serbi. Megjithatë, sipas tij, unifikimi i spektrit politik të Luginës ka gjasa reale t’i sjellë tri mandate të deputetit. “Duhet theksuar se numri i deputetëve shqiptarë jo vetëm që varet nga dalja në zgjedhje e elektoratit shqiptar, por edhe nga dalja në zgjedhje në përgjithësi e elektoratit. Me këtë konstalacion të forcave pjesëmarrëse në zgjedhje dy mandate janë më se reale, duke vazhduar me përpjekje për të siguruar edhe mandatin e tretë, që do të fuqizonte politikisht elementin shqiptar në rajon”, ka thënë më tutje Kamberi.
Ndërsa Shqipërim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës nga Alternativa për Ndryshim, ka theksuar se pas kësaj marrëveshjeje të përbashkët që partitë e Luginës kanë lidhur në zgjedhjet parlamentare mund t’i fitojnë 3 deri në 4 deputetë. “Shqiptarët në parlamentin e Serbisë, në 10 ose në 12 vjetët e fundit, prejse kanë filluar të marrin pjesë aty në këtë dekadë të këtij shekulli, nuk kanë qenë të përfaqësuar jo vetëm me numër të mjaftueshëm, por as me kualitetin e mjaftueshëm. Tash është një tjetër situatë. Unifikimi mund t’i sjellë tre deri në katër deputetë, që e mundëson një grup parlamentar prej 5 deputetësh, duke përfshirë edhe një minoritet tjetër në parlamentin e Serbisë. Pastaj do të fillojmë ta sjellim kualitetin, të cilin e kërkojmë për shumë vite, për të mos thënë dekada”, ka potencuar Arifi./Zëri