Çmimi për VEPËR JETËSORE nga institucionet më të larta komunale është satisfaksioni më i madh shpirtëror, moral e profesional në jetën time.
Me rastin e dhënies së çmimit më të lartë qytetar “NDERI I QYTETIT” nga Komuna e Gjilanit, dëshiroj të falenderoj në rradhë të parë inicuesin e këtij propozimi z. Nehat OSMANI, kryetarin e komunës, nënkryetarin e komunës, komisionin verifikues, gjithë këshilltarët komunal, familjen, miqtë, të gjithë qytetarët pa dallim që mbështetën, nxitën dhe përkrahën kandidaturën time.
Unë tërë jetën besova në gjeneratat e reja, në botëkuptimet e tyre avangarde duke përçuar dijen time, në ndërdijen e tyre duke transmetuar vlera njerëzore, në talentin e tyre duke mbjellur punë e cilësi. Duke u mishëruar me zhvillimin e tyre u rrita bashkë me ta.
Pas shumë vitesh, nxënësit e mi, sportistët e mi, miqtë, qytetarët e mi, qyteti im nuk më paskan harruar.
Duke përkujtuar punën time, kontributin tim modest, përkushtimin tim për njerëzit e shoqërinë, qytetin tim, ata më nderuan me mirënjohjen më të lartë. U ndjeva jashtë mase i privilegjuar dhe emocionalisht i respektuar si asnjëherë më pare në jetë.
Në këtë periudhë të propozimit dhe nominimit me këtë mirënjohje prestigjioze kam pranuar shumë urime, shumë përgëzime nga qytetarë anembanë komunës sonë, Kosovës, nga shumë shtete të Europës e botës, të cilët dëshiroj t’i falenderoj të gjithë veç e veç kudo që ndodhen.
Faleminderit të gjithëve, qofshi të uruar gjithmonë!
FALENDERIMI i Fahredin Sherifit me rastin e shpalljes “NDERI I QYTETIT”
Ndani këtë artikull