Komuna e Gjilanit ka organizuar të dielen mbledhje komemorative në nderim të veprës së veprimtarit të çështjes kombëtare, Halil Kqiku, e cila ë՜shtë mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit, Lutfi Haziri.
Gjatë adresimit para të pranishmëve, nënkryetari Ismajli ka thënë se veprimtari Kqiku nuk ishte vetëm i Gjilanit dhe Anamoravës, por i krejt Kosovës.
“Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme në shërbim të atdheut, ai do të mbetet përgjithmonë në mendjet dhe zemrat tona. Familja Kqiku duhet të jenë krenar që e patën një atdhetar të madh në gjirin e saj, i cili dha shumë për këtë që po e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij”, ka thanë Ismajli.
Për veprën e Halil Kqikut ka folur veprimtari Hysen Kqiku, i cili tha se me veprimtarinë e tij politike, kulturore e humanitare, e kreu me sukses, jo vetëm në Gjilan, por kudo që e kërkoi nevoja.
Ndërsa, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se në çdo ngjarje që ka ndodhur për lirinë e Kosovës, Halili i është përgjigjur pa hezitim.
Të pranishmit, në fund, i ka përlotur vajza e veprimtarit, Rina Kqiku, derisa e lexoi poezinë që i ndjeri e kishte e lexuar një vit më parë, në klubin letrar “Martin Camaj”, në Gjermani.
Ajo ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe të gjithë të pranishmit për nderimet që ia kanë bërë babait të saj.
Halil Kqiku do të varroset sot në varrezat e qytetit, në ora 15:00.