Shkruan: prof. Avni Rudaku – sociolog
Arianit Sllamniku rritet në një familje të kahershme urbane në qytetin e Gjilanit në Kosovë. Familja e tij ishte ndër të parat që merrej me shtyp, duke u njohur për shumë vjet, me shtypshkronjën “PIKA 5A”. Shumica e atyre që kanë pasur nevojën për printim, pa dyshim se janë të njohur me Familjen Sllamniku dhe angazhimet e tyre në jetën qytetase. Sllamniku i vijoi studimet universitare për gjuhë dhe letërsi gjermane në Universitetin Publik të Prishtinës; në Kolegjin “ISPE” po ashtu në baçelor në “Integrimet evropiane”, dhe më pas, në vitin 2015 kreu edhe studimet master në Nicë të Francës, në fushën e Institucioneve të BE-së dhe Organizatat Ndërkombëtare. Në vitin 2009 ishte kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit, por përfundoi si këshilltar komunal prej vitit 2009-2013. Më pas, u bë themelues i Lëvizjes Qytetare për Integrim dhe Zhvillim në vitin 2013, duke e braktisur angazhimin direkt politik në vitin 2014, pas ndarjes jo të kënaqshme me politikën lokale, ndonëse herë pas herë, vazhdon të jetë kritik ndaj politikave lokale, sidomos ndaj mbulimit të lumenjëvedhe dëmtimin e ekosistemit.
Pikërisht nga zhgënjimi me politikën, e bëri atë të shkëputej nga jeta aktive politike e zonës urbane në jetën rurale, ushqime bio, vetëpunësim, shpezëtari, perimtari, pemëtari e bletari. Kreativiteti, guximi, mjeshtëria, vendosmëria dhe vetënisma e tij që nga jeta politike urbane të kalonte në atë rurale, e bën atë të veçantë si person, me bashkëshorten e tij Filizin. Tashmë nga një ide për pushim fundjavor me familjen e tij, në një resort të veçantë, e transformon idenë e tij për relaksim familjar, në ekonomi familjare, biznes familjar, vetëpunësim. Iniciativa e tij për turizëm rural, duke pasur aq shumë vizitorë nga vendet e ndryshme amerikano-latine, Brazili, prej vendeve skandinave si Danimarka e Suedia, vendet e Evropës Juglindore Sllovakia e Perëndimore Belgjika e Italia etj. e bëjnë resortin e tij i lokalizuar në Kufcë të Epërme, në “resort kozmopolitan e global”, multilingual dhe multikulturor. Tashmë “Katundi Agroturizem” arrinë të jetë ndër zonat më të veçanta në Novobërdë e Gjilan, të krijuar nga ideja e një çifti (Arianitit dhe Filizit), që merren poashtu edhe me kurse të gjuhëve të huaja në zonën urbane edhe me aktivitete kulturore, e veçanërisht të mbështetur nga Turqia si një vend me lidhje të thella kulturore, historike fetare dhe tregtare me Kosovën.
Nisma e çiftit Sllamniku
Në vitin 2016 e filloi projektin me bashkëshorten e tij vetëm për pushime familjare. Në fillim vetëm villën dhe kopshtin e perimeve. Fillimi ishte menduar vetëm si pushimore për familjen e ngushtë dhe veçanërisht fëmijët. Përvoja e tij edhe si peshkatar, drejtues federate, aktivist i mbrojtjes së mjedisit, lumenjve e liqeneve, peshkut e tjerë e tjerë, e shtyri në zhvendosjen e tij nga qyteti në fshat, nga zona e betonit në natyrë. Fillimi i banimit të përkohshëm në villë ka qenë përmbushje shpirtërore, lidhje e fuqishme e tij me natyrën, shpezët, florën e faunën në përgjithësi. Familja Sllamniku është e njohur që moti për jetesë në qytet, ndër familjet më të vjetra urbane, po i ktheheshin për pushime javore, fshatit, natyrës. Me kalimin e kohës, në fundvitin 2017 dhe fillimin e vitit 2018, nga ferma e tyre organike, filluan me shitjen e vezëve të pulave të katundit, ndërsa në vitin 2019 filluan me shitjen e mjaltit nga fusha e bletarisë. Në vitin 2018 duke marrë përvojën e vendeve të ndryshme për turizëm rural, arriti ta kthente këtë përvojë të huaj në përvojë personale. Po ashtu, emigrimi i Arianitit nga viti 1992-1993, ku shkollën fillore e mbaroi në Gjermani, dhe në vitet 1999-2001 i angazhuar si punëtor social në Holandë për refugjatët e luftës nga Kosova, ndikoi në formimin e tij personal e familjar. Kjo vetëm që e ndihmoi atë ta transferonte kulturën evropiane në atë kosovare por edhe bëri që të mësonte disa gjuhë, bashkë me ndikimet e tjera nga vendet fqinje e ballkanike si: gjermanishten, anglishten, turqishten, serbishten dhe boshnjakishten.
Veçantitë e resortit të familjes Sllamniku
“Katundi Agroturizëm” është e përbërë nga një shtëpizë e drurit me energji diellore, e vendosur në natyrë dhe që i ka shpallur “luftë” betonit, armaturës, duke rënë në paqe të përjetshme me natyrën, e rrethuar vetëm me kopsht, me ushqim bio, me fermën e pulave… Kulmi i villës pa mure, i mbështetur thuajse mbi tokë, përfshin sistemet më të reja diellore që prodhojnë energji elektrike, si dhe mbulojnë çatinë. Është edhe me sistem solar që prodhon ujë të nxehtë, ku kryhen të gjitha këto funksione: gjeneron energji elektrike, rikuperon energji termike dhe gjithashtu vepron si një kulm i gjatë dyanësor. Kulmi qëndron stoik përballë erërave, shiut e borës. I ndërtuar me një lartësi sikur në kulmet e fshatrave të Rozhajës, të Rugovës apo edhe ato gjermane, nuk e lënë borën për asnjë moment të qëndrojnë në sipërfaqe.
Bora vallëzon me shpejtësi në resort duke rënë në fushëpamjen e mysafirëve, për t’u kënaqur teksa vrojtojnë dukuritë e zakonshme natyrore. Ngrohtësia e vazhdueshme fizike dhe shpirtërore, vjen nga materiale moderne e solare nga jashtë, dhe nga interieri tradicional shqiptar e oriental, duke u kombinuar shiltet e qilimat.
“Katundi Agroturizem” nuk është zhvendosur larg qytetit, për të ruajtur lidhjen e shpejtë me zonën urbane, me kafebaret, Muzeun e Qytetit, Teatrin dhe çdo shërbim tjetër të nevojshëm. Edhe kryeqytetin e ka jo më larg se 35 km nga akomodimi.
Kasollja ka një strukturë unike të ndërtimit, me 2 (dy) dhoma gjumi, një dhomë të ndejës ku uleni përdhesë, butë, tradicionalisht dhe riktheheni nëpër kohë. Ka një pjesë ku vetëm hahet e zihet, me një kuzhinë që ka gjithçka që të duhet për përgatitjen e ushqimit, qajit, kafes. Pasi çdo krijesë e gjallë ha e pi, e kërkon një tualet funksional, estetik dhe ku aroma e mirë kthehet me shpejtësi e difuzion të paparë. Kur iu bie në mendje se nuk mund të shkëputeni bash plotësisht dhe përherë nga kanalet e shumta televizive, ju i keni në dispozicion dy televizorë të sheshtë, ku nuk ju pëlqen një kanal, i gjeni edhe njëqind të tjerë. Po u mbushët me televizion dhe përmbajtje që ju ofrojnë pronarë mediash, kryeredaktorë dhe redaktorë, e doni që për një çast të kaloni në diçka që të shikoni çfarë doni vetë ju, të përcillni atë që ju pëlqen, ta ndalni ku dhe kur të doni, keni qasje 24 orëshe në WiFi, tërësisht falas.
Stafi dhe nikoqiri është i hapur ndaj secilës kulturë, botëkuptim, gjuhë, fe, etni, komb, shtet, rajon, kontinent a meridian. Rajonalisht, njohin gjuhën serbe. Pak më tej se kjo, e kthejnë në boshnjakisht. Kur e shohin që ju doni të flisni gjuhë të Gëtes, Shillerit, filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj, ju flasin gjermanisht. Dhe gjithmonë i kthehen gjuhës “fransua lingua”, “English global”, një gjuhe që ndërlidhë popuj, kultura, biznese e shtete, gjuhën angleze.
Por jo vetëm kaq.
Stafi i villës ju ofron informacione rreth trashëgimisë kulturore të zonës së afërt. Bëhet ciceroni i juaj i Kalasë së afërt të Novobërdës dhe të Pogragjës, dy kala të ndërtuara para shumë shekujve, e të cilat ofrojnë pamje të mrekullueshme, fotografi që të stepin përgjithmonë dhe ndjenja estetike duke ju kthyer nëpër kohë, në mungesë të shpikjes ende të “makinës së kohës”. Afër “Katundi Agroturizem”, ciceroni do të ju tregojë rrugën e shkurtër për vizitë të ish-Sarajit të Mustafë Pashës, e ndërtuar në vitin 1887, ku nga banimi i atëhershëm është kthyer në shkollë të muzikës.
Afër villës, ju përcjellim për vizitë deri te Shtëpia e Zekirja Abdullahut-Gjilan, e periudhës osmane, në shek.. XIX., një stil i veçantë arkitekturor. Nuk do të mungojnë informacionet për tumat ilire në Llashticë që i përkasin antikitetit, shek.VIII-VII para erës sonë. Ka xhami që supozohet se është ndërtuar në shek.. XVII, akoma pa u ndërtuar qyteti i Gjilanit, Xhamia Atik, ose Kisha në qendër të qytetit, Kisha Ortodokse e shek.. XIX.
Nëse keni veturë private, ose dëshironi të merrni një veturë me qira, parkingu është falas dhe i lirë vetëm për ju. Sa i përket gjërave të ndaluara, ndalohet çdo gjë dëmton shëndetin e juaj. “Katundi Agroturizem” si ndalesë tjetër të vetme, ka që mysafirët të jenë brenda në mënyrë që lidhja me natyrën të jetë e pashkëputur 24 orë, me vetëdije të plotë.
“Katundi Agroturizem” ka edhe një furrë të jashtme, ku mund të piqet mishi nëse jeni mishngrënës. Me vegjetacionin e pasur, perimet e mbjella në mënyrë natyrore, ju mund të mbeteni vegjetarianë. Që doni të jeni veganë, nuk iu sheh syri asnjëherë produktet shtazore në kuzhinë, por sodisni me kënaqësi botën e pulave ku vezët vetëm çelin zogjtë e tyre.
“Katundi Agroturizem” është për të gjithë: mishngrënës, vegjetarianë, veganë. Emëruesi i përbashkët mbetet: ushqim dhe ushqyerje e shëndetshme, kalorike dhe bio. Çdo gjë natyrore, e gjallë, e mbjellur dhe e vjelur në kohë e me kohë.
Shembulli i të zhgënjyerve nga politika
Shkenca na mëson se njerëzit dëshpërimin dhe zhgënjimin e tejkalojnë në forma nga më të larmishmet. Disa zhgënjimin e kthejnë edhe në neurozë, por edhe variante të përkeqësimit të marrëdhënieve sociale me të tjerët, duke përfshirë familjen, lagjen, kolegët e punës dhe këdo me të cilët u bie të ndërveprojnë. Sllamniku është një ekzemplar i duhur i sublimimit të energjisë zhgënjyese nga jeta politike në zonën urbane, në dobishmëri ekonomike, kulturore e turistike, në radhë të parë për veten e tij, familjen, por edhe në dobishmëri shoqërore, duke kontribuar në turizëm rural, në dy komunat fqinje: Gjilanin dhe Novobërdën.
Z. Sllamniku nga një peshkatar me pasion, promovues i peshkatarisë në nivel vendi dhe hapësire ndërkombëtare, avokues i mbrojtjes së lumenjve e liqeneve nga gurëthyesit dhe nxjerrësit e zhavorrit, nga një përfaqësues i qytetarëve në Kuvendin Komunal të Gjilanit, i kthehet biznesit familjar, prodhimit të ushqimit natyral, promovimit të jetesës në lidhje kohezive me natyrën dhe të jetuarit në ajër të pastër, gjelbërim, bujqësi, bletari e turizëm rural.
Shembulli i tij është i veçantë: qoftë për guximin e tij për të investuar në një zonë të parrethuar me asnjë investitor tjetër, qoftë për kreativitetin, kur dihet se në Kosovë, ka dominuar një logjikë e imitimit në biznese. Kjo e fundit, duhet sqaruar edhe më tej: Ka hapur dikush një pompë benzine dhe në anën e kundërt të rrugës, dikush tjetër ka hapur një pompë tjetër, në perimetër shumë të afërt. Ngjashëm ka ndodhur në dyqane të pavarura tregtare (D.P.T.), kur dikush e ka hapur në një lagje një shitore, ngjitur me të, fqiu e ka hapur një dyqan tjetër, me profil krejt të njëjtë.
Pra, Sllamniku jo vetëm që promovon jetë të shëndetshme, kultivim të prodhimit bio, mënyrës së shëndetshme të jetës si në Perëndim e gjetiu, por edhe vetëpunësohet, hap vende të reja të punës, promovon turizmin rural dhe së fundi, ka arritur edhe të hapë një restorant të veçantë, me shërbim, ushqim dhe gjithçka tjetër, në mmënyrë natyrale dhe ekologjike, ashtu siç e ka resortin e tij me energji alternative, energji solare.
“Katundi Agroturizem” ka sot villën, fermën e pulave, kopshtin e perimeve, fidanishten e pemëve me 330 fidane si dhe parkun e bletëve dhe së fundmi edhe restaurantin me recetat dhe pjekjet e ushqimeve tradicionale nga kopshti dhe ferma organike e drejt e në pjatën tuaj.
Një model çifti bashkëshortor, që duhet ndjekur për “start up” me biznes të veçantë, që ia shohin hajrin familja, shoqëria, dy komunat dhe vetë shteti.