Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar shfuqizimin e disa vendimeve që ishin marrë gjatë qeverisjes së tij nga ana e Qeverisë Haradinaj, ndër to edhe vendimin për uljen e pagave.
Ramush Haradinaj,e ka quajtur këtë vendim të pakuptimtë, meqë sipas tij brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit.
Haradinaj ka thënë se me këtë vendim brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Ky është postimi i plotë i Haradinajt:
Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv.
I tillë është edhe vendimi i sotëm për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por për edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin. Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit.
Kështu, brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Qeveria normale do pezullonte të gjitha veprimet (përfshi edhe ato politike) rreth temës, dhe do priste me respekt deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.