Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP) kanë organizuar konferencën “Faza përfundimtare: Rifillimi i Dialogut Kosovë-Serbi”, ku u publikuan gjetjet e raportit Barometrit Kosovar të Sigurisë – Edicioni special mbi Dialogun Kosovë-Serbisë.
Aty u tha se korrupsioni perceptohet si rreziku më i lartë ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës. Papunësia renditet në vendin e dytë, ndërkaq krimi i organizuar renditet në vendin e tretë ndër rreziqet ndaj sigurisë kombëtare, raporton EkonomiaOnline.
Plator Avdiu hulumtues në QKSS, tha se në bazë të hulumtimit, del se korrupsioni, papunësia dhe Serbia janë rrezikuesit më të mëdhenj në Kosovë.
Sipas tij, 80 për qind e shqiptarëve mendojmë se Kosova rrezikon ndarjen territoriale.
“Qytetarët janë pyetur me atë se çfarë e kërcënon sigurinë kombëtare. Korrupsioni, papunësia dhe Serbia janë rrezikuesit më të mëdhenj të sigurisë kombëtare sipas të anketuarve”.
“Qytetarët ende mendojnë se ndarja e Kosovës dhe asociacioni janë ndër rrezikuarit tjerë të sigurisë kombëtare. 80 për qind e shqiptarëve ende mendojmë se Kosova rrezikon ndarjen territoriale. Rrezik tjetër sipas qytetarëve është edhe asociacioni i komunave serbe”, tha ai.