Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me kompaninë regjionale të ujërave Hidromorava, është duke i bërë përgatitjet e fundit për hapjen e puseve të reja, si formë emergjente e zgjidhjes problemit të ujit të pijshëm.
Lajmi u bë i ditur pas vizitës së nënkryetarit Arbër Ismajli dhe drejtorëve komunalë, Naser Korça e Nevzad Rushiti, në KRU Hidromorava, ku janë pritur nga drejtori Muhamet Suliqi.
“Po punojmë me ngulm për të bërë zgjidhje emergjente për shkak të thatësisë së madhe që e ka goditur Gjilanin. Përpos puseve që janë funksionalizuar, bashkë me Hidromoravën jemi duke i bërë hulumtimet e fundit të burimeve alternative për hapjen edhe të puseve të tjera”, ka thënë Ismajli.
Ismajli e Suliqi janë shprehur se pas miratimit të buxhetit të shtetit nga Kuvendi i Republikës, kësaj komune pritet t’i ndahen afro 500 mijë euro, që llogaritet si zgjidhje emergjente, ndërkaq që zgjidhja afatmesme është vlerësuar ndërtimi i pendës në lumin Llapushnica.
Gjilani është furnizuar nga katër burime të ujit të pijshëm, ku në kohën e normalitetit janë prodhuar mbi 300 litra për sekond, ndërkaq tash prodhohen pak më shumë se 100 litra për sekond.
Ismajli e Suliqi kanë thënë se hapja e pesë puseve të reja brenda kazermës së FSK’së, kanë bërë që prodhimi të shtohet për afro 30 litra për sekond.
Nënkryetari i Gjilanit dhe drejtori i Hidromoravës, i kanë falënderuar qytetarët për solidaritetin dhe mirëkuptimin, ndërkaq kanë apeluar që të vazhdojnë ta kursejnë ujin maksimalisht.