Pushteti komunal në Gjilan është tërhequr nga zotimi për financimin e shujtës ditore për nxënësit, me arsyetimin se projekti ka një kosto të lartë.
Drejtori Komunal i Arsimit në këtë komunë, Nazim Gagica në seancën të Kuvendit Komunal, që është mbajtur të enjten, ka deklaruar se ata nuk do ta financojnë shujtën ditore për nxënësit, ngase kushton mbi 500 mijë euro. Ai ka thënë se projekti është implementuar pjesërisht dhe shujtat ditore ishin shpërndarë në disa shkolla, të cilat gjenden në zonat rurale.
“Kemi filluar me shpërndarjen e shujtave ditore në zonat rurale mirëpo në analizën që kemi realizuar është se nuk mundemi të realizojmë shpërndarjen e shujtave ditore për të gjithë nxënësit e komunës së Gjilanit, sepse ka kosto të lartë që është mbi gjysmë milioni euro. Është efekti financiar që është problem që ne nuk mundemi t’i mbulojmë 18 mijë nxënës të komunës së Gjilanit” ka thënë ai, raporton “Koha Ditore”.
Ai ka thënë se ka pasur shqetësime nga drejtorët e shkollave, meqë ushqimi i cili sigurohet nga Komuna nuk po konsumohet nga nxënësit.
“Në takimet me drejtorët e shkollave ku është aplikuar shujta ka rezultuar që ushqimit shpeshherë të gjendet në kontejner nëpër klasë dhe në banka shkollore”, ka thënë ai.
Ndërkaq, këshilltari komunal, Xhelal Hajrullahu ka kërkuar që të ketë shujtë ditore për çdo nxënës.
Në po këtë seancë, këshilltarët komunalë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur shqetësimet e tyre për numrin e mungesave nga nxënësit në gjysmëvjetorin e pare, ndërkaq kanë shprehur kritikat e tyre edhe rreth ngecjeve që janë shënuar në disa projekte të infrastrukturës shkollore.
Nga Drejtoria e Arsimit ka pasur zotime se do të hartohet rregullorja e përgjithshme e arsimit, me të cilën përcaktohen obligimet dhe detyrimet e nxënësve në raport me shkollën ku vijojnë procesin mësimor por edhe obligimet dhe detyrimet që kanë mësimdhënësit ndaj institucionit.