Kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka ardhur koha që shqiptarët në Luginën e Preshevës t’i bashkohen Kosovës.
Ka folur edhe për manifestimet që do të organizohen në Gjilan nga 4 deri më 11 mars, për shënimin e 30-vjetorit të themelimit e degës së LDK-së në këtë qytet.
“Javë e bardhë për Gjilanin. Prej 4 deri në 11 mars do ta shënojmë 30-vjetorin e themelimit të partisë së Ibrahim Rugovës. Gjatë kësaj jave, do të ketë manifestime politike, kulturore e sportive, me theks të veçantë, vlerësimin e lartë për rolin e gruas dhe të rinisë. Falënderim deri në gjunjëzim brezave tanë që nuk janë në jetë, por që kontribuan për Degën e LDK-së, në rezistencën politike e paqësore, e në fund edhe me kryengritje, duke arritur deri te Liria, Pavarësia dhe Demokracia. Republika jonë është kompromisi i dhimbshëm i zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan. Ka ardhur koha që shqiptarët e Kosovës Lindore t’i bashkohen atdheut të tyre!”, ka shkruar Haziri.