Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi Caritasin zvicran në Kosovë për implementimin e projektit “Vendosja e standardeve parashkollore të cilësisë së lartë duke përforcuar arsimin, shkencën dhe ekonominë – Shpresë”.
Marrëveshja ka për qëllim që të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe ofrimin e shërbimeve në nivelin e arsimit parafillor, në komunën e Gjilanit, përmes përmirësimit të shërbimeve të qëndrueshme për trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të edukatorëve parafillor në nivel komunal si dhe duke krijuar një mjedis miqësor ndaj fëmijëve, në klasat e arsimit parafillor.
Ky projekt përfshinë organizimin dhe ofrimin e trajnimit për edukatorët ekzistues të nivelit parafillor dhe zyrtarëve në Komunën e Gjilanit, organizimin e sesioneve për monitorim të cilësisë dhe mentorim për edukatorët e trajnuar parafillor, mobilizimin e pikave përkatëse kontaktuese për arsimin në nivel komunal, avokimi në nivel komunal për arsimimin e mëtejshëm të edukatorëve në arsimin parafillor, sikurse edhe ofrimin e pajisjeve dhe materialeve didaktike për pesë klasat e përzgjedhura.
Përndryshe, marrëveshjen e kanë nënshkruar drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica dhe drejtori i Caritasit zviceran, Kreshnik Basha.