Shkruan: Drejtori i DKA-së në Gjilan, Nazim Gagica
Të respektuara strukutura drejtuese arsimore.
Të nderuar mësimdhënës,
Jemi bashkë sot edhe në një përvjetorë të Shkollës Shqipe….për të kujtuar e nderuar ata që i dhanë jetë asaj ndër dekada…..për të nderuar lavdinë e lartësinë e brezave në lindjen, rritën dhe zhvillimin e saj…….për t’u përkululur me nderim para gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka për mbijetesën, ekzistencën dhe mbrojtjen e saj; jemi sot bashkë, gjithashtu, për të parë veten tonë…të arriturat e sfidat, përpjekjet, dështimet e rezultatet dhe për të marrë energji të reja që mbi gjithë këto të ndërtojmë vizionin për shkollën e të sotmes dhe hapat në të ardhmen.
Sot ne bashkë nderojmë lavdinë Korçës si akt themeltar iluminist e atdhetar dhe gjithë atë rrugëtim me kaq shumë turbulenca, sakrifica, heroizma të pashembullt në përballjet me errësirën dhe modele të jashtëzakonshëm nxënësish, mësuesish e atdhetarësh që i falën të kaluarës e të tashmes tonë aq shumë dritë, aq shumë shpresë e besim, aq shumë ëndërra për të ardhmen.
Të nderuar mësimdhënës.
Shkolla shqipe në gjithë këto vite, nga ai i largëti 1887, mision të saj pati jo vetëm dijen e zhvillimin po edhe atdhetarizmën e humanizmin. Ajo barti mbi supe shumë më shumë se i takon. Ajo doli suksesshëm në sfidat e përballjet me botën moderne. Ajo nuk kërkoi përmendore dhe ne nuk i kushtuam përmendore. Shkolla jonë sot kërkon të ecim me ritme të tjera përballë sfidave dhe ndryshimeve. Ne duhet ta ndryshojmë ritmin e ecjes që të garantojmë përballje të suksesshme sot dhe nesër me konkurrencën në pjesën tjetër.
Kam besim se të gjithë bashkë do ta arrijmë që t’i ndryshojmë këto ritme. Kam besim në përkushtimin, dijen dhe vizionin e përbashkët të të gjithëve.
Rreshtimi krahas zhvillimeve moderne arsimore në botë edhe i shkollës sonë do të ishte më e madhja përmendore e të shkuarës dhe të ardhmes së Shkollës Shqipe….përmendore që nuk do të mbarojë kurrë…sepse kurrë nuk do të mbarojë kërkesa për dije e arsimim.
Prandaj shkolla nuk e ka një përmendore e as mësuesit nuk e kanë….mbetet që në ndërtimin e saj ju të nderuar mësimdhënës të shkrini veten tuaj…për t’u bërë pjesë e saj.
Megjithkëtë sot le të festojmë e urojmë….le t’i shohim në ballë sfidat e sukseset dhe le ta kujtojmë rrugën e gjatë tonën deri këtu.
Gëzuar Dita e Shkollës Shqipe dhe Suksese të reja.
Shëndet e gëzime në familjet tuaja!