Shkruan: Qahil Halili
Ne, Familja e Ali Halilit, lagjja e Sylëvitëve nga Zhegra e Gjilanit, për çdo 5 mars e kujtojmë dhe dasmën e vitit 1998 kur, Aga Ali martonte djalin e tij Emrushin, me Adelinën nga Kamenica.
Me miqtë e rinj nga Kamenica kishim ndare vaden, kishim ftuar miq e dashamirë për dasmë, madje dhe restorantin e kishim rezervuar në Gjilan si dhe kishim ftuar këngëtarë të njohur atë kohë, Mahmut Feratin, Nazmije Dushullovcin si dhe anëtarë të ansamblit “Bajram Curri” nga Prishtina, Afrim e Gëzim Sadikun por…me të marrë lajmin për luftën titanike të Familjes Jashari nga Prekazi si dhe rënien e tyre heroike për lirine e Kosovës, në shenjë nderimi për të renet, anuluam tërësisht pjesën festive të dasmës, ceremoninë në restoranin e paraparë në Gjilan si dhe pjesën muzikore.
Nusen, sipas traditës, do duhej ta merrnim se, nuk bënte ndryshe. I nisëm vetëm veturat e domosdoshme ( 10) si dhe me flamur kombëtar e, pa zhurmë sirenash dhe, e sollëm nusen në shtëpi.
Këngëtarët, miqtë dhe gjithë të ftuarit treguan mirëkuptim dhe, iu bashkangjitën nderimit të të rënëve në Prekaz.
Ne, edhe sot pas 22 vitesh, sa herë I kujtojmë dhe nderojmë të renet në Prekaz, e kemi të pamundur most a kujtojmë dhe këtë ngjarje familjare, mbase e para në Kosovë që iu bashkangjitë dhimbjes kombëtare për Familjen e Shaban Jasharit si dhe të rënëve tjerë, në luftën e pabarabartë me forcat pushtuese serbe.